Lidhje

SHBA, të shqetësuara për ndërhyrjet në vendin e katastrofës


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry thotë se Shtetet e Bashkuara janë "shumë të shqetësuara" lidhur me njoftimet se rrënojat dhe trupat nga rrëzimi i avionit malajzian janë lëvizur nga vendi ku ra avioni në Ukrainën lindore.

Departmenti i Shtetit thotë se zoti Kerry foli të shtunën me telefon me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov. Ai i ka thënë zotit Lavrov, se ai është gjithashtu i shqetësuar se vëzhguesve europianë nuk po u lejohet hyrja në vendin ku u rrëzua avioni.

Zoti Kerry po ashtu i bëri thirrje Rusisë të marrë masa të menjëhershme për të ndaluar futjen e armatimeve dhe të luftëtarëve, në ndihmë të separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax thotë se zoti Lavrov ishte dakord me idenë se të gjitha faktet fizike, përfshirë kutinë e zezë me regjistrimet, një objekt me rëndësi jetike, do t'u jepen hetuesve.

Sipas disa njoftimeve, rebelët i kanë tërhequr disa trupa dhe objekte të tjera, që ndoshta e kompromentojnë zhvillimin e hetimeve.

Një udhëheqës i rebelëve mohoi të jetë bërë një ndërhyrje e tillë.

Faktet e deritanishme tregojnë se avioni malajzian me numër fluturimi 17 është qëlluar me raketë të enjten mbi rajonin Donetsk të kontrolluar nga separtistët pro-rusë.

Avioni po fluturonte nga Amsterdami për në Kuala Lumpur. Të gjithë 298 njerëzit që ndodheshin në bord u vranë; shumica e tyre ishin holandezë.

Presidenti Barack Obama tha se Shtetet e Bashkuara kanë bindjen se raketa që goditi avionin është hedhur nga territori i kontrolluar nga separatistët pro-rusë.

Ukraina thotë se ka "fakte bindëse" se rebelët kanë përdorur një raketahedhëse të teknologjisë së lartë dhe se janë trajnuar nga rusët.

XS
SM
MD
LG