Lidhje

Kerry: Siguria e Izraelit shumë e rëndësishme


Sekretari i Shtetit John Kerry thotë se siguria e Izraelit është një element kyç si në bisedimet e paqes me palestinezët, edhe në negociatat ndërkombëtare lidhur me programin bërthamor të Iranit.

Pas takimit sot me kryeministrin izarelit Benjamin Netanjahu në Jerusalem, zoti Kerry tha se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithshka për t’u siguruar që Iranit të mos jetë më i aftë për të krijuar armë bërthamore. Ai tha se si Shtetet e Bashkuara, edhe Izraeli janë të një mendimi për synimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, afatgjatë bërthamore me Iranin.

Zoti Netanjahu përsëriti kundërshtimin e tij për marrëveshjen e përkohëshme me fuqitë botërore që u arrit me Iranin muajin e kaluar, e cila bën thirrje që Teherani ta ndalë një pjesë të aktivitetit të vet bërthamor dhe të lejojë inspektime më të gjera në këmbim të kufizimit të sanksioneve. Izraeli kërkon që të gjitha sanksionet ndaj Iranit të mbeten në fuqi, derisa Teherani të provojë se nuk është duke zhvilluar armë bërthamore. Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka synime paqësore.
XS
SM
MD
LG