Lidhje

Kerry: Rusia të mos sabotojë zgjedhjet në Ukrainë


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry paralajmëroi Rusinë se do të përballet me sanksione të tjera nëse ajo përpiqet të sabotojë zgjedhjet presidenciale në Ukrainë dhe nuk e ndalë mbështetjen e saj për separatistët në Ukrainën lindore.

"Ne nuk do të rrimë duarkryq, ndërsa elementët rusë nxisin jostabilitetin", tha Sekretari Kerry duke folur në Departamentin e Shtetit në Uashington pas takimit me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Ai tha se sanksionet deri më tani kanë patur një ndikim të madh mbi ekonominë ruse në vështirësi, dhe se ky është vetëm fillimi i sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj ndaj Rusisë.

"Ukraina ka treguar vetëpërmbajtje të shquar. Ata janë angazhuar të lëvizin vendin e tyre përpara përmes veprimeve jo të dhunshme", tha Sekretari Kerry duke shprehur shqetësimin mbi përpjekjet e separatistëve pro - rusë për të "organizuar një referendum të fshehtë për pavarësi".

Shefja e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Catherine Ashton i quajti zgjedhjet presidenciale të 25 majit në Ukrainë një hap shumë të rëndësishëm drejt stabilizimit. Ajo tha se populli ukrainas do të vendosë se çfarë të ardhme do të ketë Ukraina.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dje tha se legjitimiteti i zgjedhjeve është në pikëpyetje për shkak të veprimeve të ushtrisë ukrainase kundër seperatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore.
XS
SM
MD
LG