Lidhje

Kerry: Jo mosmarrëveshje SHBA-Arabi Saudite


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry nuk u dha rëndësi njoftimeve për një mosmarrëveshje të thellë midis Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite.

Zoti Kerry tha sot se “ai është i bindur se të dy vendet kanë të njejtin qëndrim”. Dje sekretari Kerry u takua në Paris me ministrin e Jashtëm saudit Saud al-Faisal.
Zoti Kerry po ashtu tha se Uashingtoni do të vazhdojë të konsultohet me Arabinë Saudite, siç ka bërë përherë, për çështje me interes të përbashkët.

Zyrtarët sauditë kanë shprehur pakënaqësi ndaj Shteteve të Bashkuara që nuk filluan goditjen me raketa kundër qeverisë së presidentit të Sirisë Bashar al-Assad për shkak të përdorimit të armëve kimike.

Riadi po ashtu ka shprehur shqetësim për drejtimin që po marrin bisedimet bërthamore dhe për mundësinë e një pajtimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Zoti Kerry tha se “pala saudite ndihej qartazi e zhgënjyer” me vendimin e Uashingtonit për të mos ndërmarrë sulme me raketa ndaj Sirisë, por ai shtoi se takimi i tij të hënën me ministrin e jashtëm saudit kishte qënë konstruktiv.
XS
SM
MD
LG