Lidhje

Sekretari Kerry takohet me opozitën ukrainase


Sekretari i Shtetit John Kerry u takua sot në Gjermani me tre nga udhëheqësit e opozitës ukrainase, pasi këmbeu fjalë të ashpëra me rusët lidhur me të ardhmen e ish-republikës sovjetike.

Zoti Kerry u takua me figurat e opozitës: Arseniy Yatsenyuk, Vitali Klitschko dhe Petro Poroshenko – në kuadrin e Konferencës Ndërkombëtare të Sigurisë që po mbahet në Mynih të Gjermanisë.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se zoti Kerry përsëriti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e udhëheqësve të opozitës, që flasin hapur në mbrojtje të demokracisë për popullin ukrainas. Por ai i nxiti ata të mbeten paqësorë në kërkesat e tyre dhe të vazhdojnë diskutimet me qeverinë.

Më parë, zoti Kerry tha në një konferencë shtypi se lufta për demokraci dhe për një të ardhme evropiane në Ukrainë është më e rëndësishme se kudo. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e mbështesin popullin e Ukrainës në këtë luftë.

Por në fjalimin e tij në konferencë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i akuzoi politikanët evropianë për nxitjen e protestave anti-qeveritare në Ukrainë.

Takimi i sekretarit Kerry zhvillohet një ditë pasi Presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych, nënshkroi ligjin e amnistisë për protestuesit anti qeveritarë. Megjithatë, amnistia hyn në fuqi, vetëm nëse protestuesit largohen nga ndërtesat qeveritare që kanë pushtuar.

Udhëhqësit e opozitës e kanë kundërshtuar këtë vendim, të cilin presidenti e mori pasi njoftoi një ditë më parë se do të largohej me leje pasi kishte një infeksion në rrugët e frymëmarjes dhe ethe.

Udhëheqësi i opozitës, Arseniy Yatsenyuk, i uroi shërim presidentit, duke shtuar se Ukraina ka nevojë të ngutëshme për një plan që do t’i jepte fund përplasjes me qeverinë.

Tensionet në Ukrainë u rritën të enjten, pasi veprimtari i opozitës, Dmytro Bulatov, që ishte zhdukur që nga 22 janari, u gjet i rrahur rëndë në periferi të Kievit. Bulatov tha se u kishte ikur rrëmbyesve dhe arriti t’i kërkonte ndihmë një mikut të tij.

Zyra e Kombeve të Bashkura për të drejtat e njerit i ka bërë thirrje Presidentit Yanukovych të hetojë njoftimet e kohëve të fundit për vdekjet, rrëmbimet dhe torturat gjatë trazirave politike në vend.

Ukrainasit u hodhën në protesta në muajin nëntor, kur Presidenti Yanukovych u tërhoq nga një marrëveshje për tregtinë me Bashkimin Evropian në favor të lidhjeve më të ngushta me Rusinë.
XS
SM
MD
LG