Lidhje

Në Kosovë, vizitë e një delegacioni të  Këshillit të Atlantikut të Veriut


Zëvendës sekretarja e Përgjithshme e NATO-s Rose Gottemoeller tha të premten se Kosova ka shënuar përparime, por vazhdon të përballet ende me shumë sfida, ndërsa nënvizoi se forcat paqeruajtëse të KFOR-it do të qëndrojnë në Kosovë për aq kohë sa të jetë e nevojshme dhe nuk do të largohen pa e përfunduar punën e tyre.

Ajo i bëri këto komente gjatë vizitës së saj në Prishtinë së bashku me Këshillin i Atlantikut të Veriut për të takuar trupat paqeruajtëse dhe përfaqësuesit e institucioneve vendase e ndërkombëtare.

Zonja Gottemoeller tha se vizita e organit më të lartë vendim-marrës të kësaj organizate, është dëshmi e angazhimit të NATO-s për paqen dhe qëndrueshmërinë në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Forcat e NATO-s kanë kontribuar në normalizimin e situatës së sigurisë në rajon dhe angazhimi i NATO-s ndaj KFOR-it mbetet elementi kyç i përpjekjeve tona për të projektuar qëndrueshmërinë në këtë rajon. Siguria dhe qëndrueshmëria janë të rëndësishme për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e gjithë Evropës. Ne e njohim përparimin që është bërë posaçërisht kohëve të fundit në situatën e sigurisë, por ne kemi parë poashtu edhe pengesa. Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat e shumta me të cilat përballet Kosova. KFOR do të mbetet në Kosovë për aq kohë sa të jetë e nevojshme dhe nuk do të largohet pa e përfunduar punën e tij”, tha ajo.

Zonja Gottemoeller tha se gjatë takimeve të shumta është biseduar edhe për Forcat e Sigurisë së Kosovës, duke nënvizuar se shndërrimi i saj në Forcat e Armatosura duhet të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe me marrëveshje politike.

Autoritetet në Kosovë thanë pas takimit me zonjën Gottemoeller se kanë biseduar për përparimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Aktualisht rreth 4 mijë e 500 trupa të NATO-s shërbejnë në Kosovë, ku 18 vjet më parë qenë vendosur mbi 50 mijë trupa duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare ndërmjet forcave serbe dhe kryengritësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG