Irani thotë se ka ndërprerë shitjen e naftës së papërpunuar për Francën dhe Britaninë, një lëvizje që shihet si hakmarrje për një embargo graduale të Bashkimit Evropian për naftën iraniane që nuk ka hyrë ende në fuqi. Embargoja që do të hynte në fuqi më 1 korrik, është pjesë e përpjekjeve perëndimore për të frenuar financimin e programit bërthamor të Iranit.
Ndërkohë, Këshilltari amerikan i Sigurimit Kombëtar, Tom Donilon ndodhet në Izrael për bisedime rreth tensioneve në rritje me Iranin. Ai mbërriti atje ndërsa shtohen shqetësimet në Shtetet e Bashkuara se Izraeli mund të ndërmarë një sulm kundër qendrave bërthamore të Iranit. Në takimin e përjavshëm të kabinetit në Jeruzalem, zyrtarët izraelitë paralajmëruan se deri më tani sanksionet e komunitetit ndërkombëtar kanë dështuar të ndalojnë përpjekjet e Iranit për prodhimin e armëve bërthamore.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu kryesoi sot takimin e kabinetit, ndërkohë që u njoftua se këshilltari i sigurimit kombëtar i presidentit amerikan ishte në Izrael për bisedime mbi programin bërthamor të Iranit.
Tom Donilon është zyrtari më i fundit mes zyrtarëve amerikanë, që kanë diskutuar këtë çështje me udhëheqësit izraelitë.
Muajin e kaluar, komandanti i ushtrisë amerikane, Martin Dempsey vizitoi Izraelin dhe muajin e ardhshëm kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu pritet të vizitojë Shtëpinë e Bardhë.
Në takimin e sotëm të kabinetit, ministri izraelit i Shkencës dhe Teknologjisë, Daniel Hershkowitz iu përgjigj komenteve të kohëve të fundit të gjeneralit Dempsey, i cili tha se një sulm izraelit kundër Iranit nuk do të arrinte objektivin e tij për të ndalur programin bërthamor të atij vendi.
"Në fjalimin e tij gjenerali Dempsey shprehu pikpamjet e tij, ose ndoshta pikpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, dhe siç e dini Shtetet e Bashkuara janë një vend i pavarur dhe mund të kenë një opinion që ndonjëherë ndryshon nga opinioni ynë. Sidoqoftë, ishte një shprehje e qartë opinioni dhe jam i sigurtë se Izraeli, kur shqyrton politikat e tij, ka parasysh edhe qëndrimet e aleatëve të tij. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara janë vende të pavarura", tha ministri Hershkowitz.
Të dy vendet besojnë se Irani po përpiqet të ndërtojë një bombë bërthamore.
Teherani thotë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.
Shtetet e Bashkuara thonë se sanksioneve të komunitetit ndërkombëtar duhet t’u jepet më shumë kohë që të ndalojnë synimet e Iranit.
Izraeli thotë se koha po mer fund dhe se të gjitha alternativat, përfshirë atë ushtarake, duhet të shqyrtohen.