Lidhje

100 ditë pas vrasjes së Kashogit, në vëmendje liria e shtypit


Ligjvënësit po vazhdojnë betejën për lirinë e shtypit dhe thonë se kjo vetëdije e shtuar për rëndësinë e shtypit të lirë është një ndër trashëgimitë e gazetarit të vrarë.

Vdekja e gazetarit disident, Xhamal Kashogi, i cili u vra pak minuta pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll, e vuri Arabinë Saudite në shenjestër të kritikave të forta si dhe rizgjoi shqetësimet për sigurinë e gazetarëve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson njofton se ligjvënësit po vazhdojnë betejën për lirinë e shtypit, 100 ditë pas vdekjes së Kashogit:

Imazhi i fundit i gazetarit Kashogi, duke ecur drejt vdekjes së tij të afërt.

Riadi ka pohuar se vrasja e tij ishte faji i disa agjentëve që shkelën rregullat. Por Presidenti Trump nuk ka bërë kritika në adresë të Princit të kurorës, duke thënë se marrëdhënia me Arabinë Saudite është tepër e rëndësishme dhe nuk duhet kërcënuar.

“Nuk do të sakrifikojmë kontrata me vlerë prej qindra miliarda dollarësh dhe t’ua lëmë Rusisë, Kinës apo të tjerëve të përfitojnë. Për mua është shumë e thjeshtë: Amerika në radhë të parë. Nëse prishim marrëdhëniet me Arabinë Saudite çmimet e naftës për ne do të rriteshin shumë,” tha presidenti.

Senati amerikan miratoi një rezolutë në dhjetor, ku dënon Arabinë Saudite për vrasjen e Kashogit.

Në këtë 100 ditësh nga vrasja e tij, po kthehet vëmendja tek gazetari i vrarë.

“Nëse vendosim se interesat komerciale marrin përparësi mbi deklaratat që bëjmë apo veprimet që ndërmarrim, atëherë duhet të pranojmë se kemi humbur autoritetin moral për të diskutuar krime të tilla kudo dhe në çdo kohë,” tha zonja Pelosi.

2018-a u shoqërua me humbje jete nga radhët e gazetarëve. Pesë vetë u vranë në një redaksi në Meriland. Senatori i Merilandit thotë se ShBA shihet si shembull nga të tjerët për trajtimin e gazetarëve:

“Mungesa e një zëri të fortë në Shtëpinë e Bardhë në mbështetje të lirisë së shtypit vë në rrezik gazetarët në të gjithë botën. Udhëheqës autoritarë në mbarë globin, të cilët flasin për ‘lajme të rreme’ apo i akuzojnë gazetarët si ‘armiq të popullit’, po e shfrytëzojnë këtë klimë për të burgosur gazetarët në vendet e tyre,” tha Senatori Chris Van Hollen.

Burgosja e dy gazetarëve në Mianmar është shembull i një prirjeje shqetësuese për të luftuar transparencën.

"Kur sheh ç’po ndodh në botë vështirë të mos e dallosh se gjërat po keqësohen,” thotë ligjvënësi Adam Schiff.

Edhe ligjvënës republikanë nderuan kujtimin e Kashogit:

“E kuptoj se për të bërë punën gazetari e vë veten në situata të rrezikshme,” tha ligjvënësi Will Hurd.

Ligjvënësi Hurd tha se edhe në mes të elektoratit të tij në një zonë rurale në Teksas vrasja e Kashogit tërhoqi vëmendjen e amerikanëve që nuk i kishin menduar rreziqet e gazetarëve në botë.

“Vrasja e tij nxiti një diskutim në jug dhe perëndim të Teksasit. Pjesa më e madhe e njerëzve atje nuk ia shqiptojnë dot emrin Kashogit. Por shumë njerëz më afrohen për ta diskutuar. I ka bërë shumë njerëz më të vetëdishëm për rëndësinë e shtypit”.

Ligjvënësit thonë se kjo vetëdije do të jetë pjesë e trashëgimisë së Kashogit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG