Lidhje

Perëndimi dënon ndërhyrjen policore në Kiev


Disa qeveri perëndimore kanë dënuar shtypjen e protestuesve pro-evropianë në Ukrainë në kryeqytetin Kiev. Demonstratat u zhvilluan pasi Ukraina nuk pranoi të nënshkruante marrëveshjen e tregtisë me Bashkimin Evropian. Përgjigja e fortë e qeverisë e ka bërë më vendimtare betejën për të ardhmen e vendit.

Policia ndërhyri në Sheshin Pavarësia në ora 4:30 të mëngjesit dje. Protestuesit thonë se sulmi i policisë u ndërmor pa provokim. Ambulancat erdhën për të mjekuar dhjetëra demonstrues të plagosur, pjesa më e madhe me lëndime në kokë e krahë, ndërkohë që policia përdori shkopinjtë e gomës, granata zhurmuese dhe gaz lotsjellës për të boshatisur sheshin.

Studenti Andriy thotë se autoritetet nuk dhanë paralajmërim:

“Policia ndërhyri nga vijat e pasme të turmës. Ata filluan të rrahin vajzat. Njerëzit filluan të bien nga platforma ku kishin hipur folësit”.

Policia thotë se 25 vetë u arrestuan. Ministria e Brendshme tha se policia ndërhyri pasi protestuesit goditën policët me objekte të ndryshme.

Kur erdhi agimi, disa qindra protestues, shumë prej të cilëve me fasho të mbuluara me gjak, kishin gjetur strehim në një manastir jo larg sheshit.

Tensionet nuk janë qetësuar ende. Në një moment protestuesit u përpoqën të sulmojnë një furgon të policisë. Shumë prej tyre, si Julia, janë studentë që kanë ardhur në Kiev nga e gjithë Ukraina.

"Policia sulmoi protestuesit dhe i rrahu të gjithë: studentë, gra e fëmijë. Njerëzit kanë marrë plagë në kokë. Të gjithë e panë. Eshtë e pamundur të jetohet në këtë mënyrë”.

Udhëheqësit e opozitës kanë bërë thirrje për një grevë mbarë-kombëtare në përgjigje të reagimit policor. Ata thonë se po organizohen për të formuar një front të rezistencës kombëtare deri në zhvillimin e zgjedhjeve të reja.

Arseniy Yatsenyuk, udhëheqës i Partisë Atdheu, fajësoi Presidentin Yanukovich për dhunën.

“Presidenti ka gjakun e fëmijëve, studentëve dhe të rinjve në duar dhe duhet mbajtur përgjegjës për këto incidenti. Ai e dha urdhrin dhe ai duhet të japë dorëheqjen”.
Lituania, e cila kryeson Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, dënoi ndërhyrjen policore, ndërsa ambasada amerikane i bëri thirrje Ukrainës të respektojë shoqërinë civile.

Protestuesit po mblidhen përsëri në Kiev për tubimin masiv të planifikuar për sot. Ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko, e cila vazhdon të vuajë dënimin me burgim, u ka bërë thirrje demonstruesve të detyrojnë dorëheqjen e qeverisë.
XS
SM
MD
LG