Lidhje

Jep dorëheqjen ambasadori britanik në SHBA


Ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara, Kim Darroch, njoftoi të mërkurën dorëheqjen, duke shtuar se e kishte të pamundur të vazhdonte rolin e tij pas rrjedhjes së informacionit të kabllogrameve diplomatike në të cilat ai kritikonte Presidentin amerikan Donald Trump.

Në letrën e dorëheqjes ai shkruante se edhe pse mandati i tij nuk përfundon deri në fund të këtij viti, ai beson se në rrethanat aktuale qëndrimi i përgjegjshëm do të ishte lejimi i emërimit të një ambasadori të ri.

Kim Darroch ka qenë diplomati kryesor i Britanisë në Uashington që prej vitit 2016.

Sipas kabllogrameve të bëra tashmë publike zoti Darroch e karakterizonte Presidentit Trump si një udhëheqës "të ngathët", "të pasigurtë" e "të paaftë" dhe administratën e tij si "jofunksionale".

Kabllogramet e publikuara, u dërgoheshin ministrave të lartë britanikë dhe nëpunësve civilë, por zyrtarët besojnë se personi që ia ka dhënë ato shtypit, është politikan apo zyrtar britanik dhe nuk i takon një qeverie të huaj.

Duke folur para Dhomës së Komuneve të mërkurën, Kryeministrja britanike Theresa May konfirmoi dorëheqjen e ambasadorit Darroch.

"Sot në mëngjes fola me ambasadorin Kim Darroch. I thashë se është vërtet për të ardhur keq që ai mendoi se ishte e nevojshme që të linte postin e ambasadorit të Uashingtonit. I gjithë kabineti me të drejtë i dha mbështetjen e plotë zotit Kim. Ai i ka shërbyer gjithë jetën Britanisë dhe i detyrohemi një mirënjohje të madhe. Qeverisja e mirë ka nevojë që nëpunësit publikë të këshillojnë në mënyrë të plotë dhe të sinqertë. Dua që të gjithë punonjësit publikë të jenë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë dhe shpresoj që Dhoma e Komuneve të reflektojë për rëndësinë e mbrojtjes së vlerave dhe parimeve tona, veçanërisht kur janë nën presion”.

Pas publikimi të kabllogrameve, Presidenti Trump reagoi me një postim në Twitter duke e quajtur zotin Darroch "shumë budalla" dhe një "një njeri të trashë e pompoz". Ai shkruante gjithashtu se "nuk do të merrej më" me të.

Zyrtarë të kaluar dhe aktualë britanikë kishin thënë se vendimi i zotit Trump për të ndërprerë lidhjet mes Shtëpisë së Bardhë dhe ambasadorit britanik, e vuri zotin Darroch në një pozicion “jashtëzakonisht të vështirë”. Ata thonë se ai do të duhet të zëvendësohet me shpejtësi me një diplomat tjetër, për t’u siguruar që të të mos ketë dëmtim afatgjatë të marrëdhënieve britaniko-amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG