Kina tha se presionet e ligjvënësve amerikanë për ta detyruar Pekinin të rivlerësojë monedhën e tij do t’i keqësojnë mjaft marrëdhëniet dypalëshe.
Komentet e zëdhënëses së ministrisë së jashtme kineze erdhën si reagim ndaj projektligjit të miratuar dje nga Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan, i cili autorizon tarifa ndaj vendeve që e mbajnë artificialisht të ulët vlerën e monedhës së tyre.
Po sot, Ministria kineze e Tregtisë bëri një deklaratë në të cilën e quante projektligjin në mospërputhje me rregullat e Organizatës Botërore të tregtisë.
Ligjvënësit dhe bizneset amerikane e akuzojnë Pekinin se e mban artificialisht të ulët monedhën e tij juanin duke u dhënë mallrave kineze avantazh në çmim në tregjet botërore. Ata thonë se manipulimi i juanit u ka kushtuar Shteteve të Bashkuara miliona vende pune në industri.