Lidhje

Kina proteston pas takimit Maas-Wong


Kina ka thirrur ambasadorin e Gjermanisë në Pekin pas një takimi të kohëve të fundit mes aktivistit nga Hong Kongu Joshua Wong dhe Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, duke e deklaruar se takimi do të dëmtonte marrëdhëniet dypalëshe.

Ambasadori kinez në Gjermani, Ken Wu, e qortoi publikisht të dërguarin gjerman duke protestuar takimin e së mërkurës, dy ditë pasi Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas u takua në Berlin me zotin Wong.

Ambasadori kinez u tha gazetarëve në Berlin se takimi, “do të ketë pasoja negative në marrëdhëniet dypalëshe dhe se Kina do të reagojë”. Aktivisti Wong mbërriti në Berlin të hënën dhe u prit nga zoti Maas. Diplomati kinez tha se edhe ligjvënësit gjermanë e kishin pritur zotin Wong.

“Ne nuk e dimë qëllimin e këtyre politikanëve. A janë ata seriozisht të shqetësuar për lirinë, demokracinë dhe zbatimin e ligjit në Hong Kong, apo duan t’i hedhin benzinë zjarrit, dhe kështu të kenë përfitime politike nga kjo?” tha diplomati kinez.

Nuk ka patur reagim të menjëhershëm nga Gjermania, ndërsa mosmarrëveshja vjen disa ditë pasi Kancelarja Angela Merkel u kthye nga një udhëtim në Kinë. Zonja Merkel tha pas kthimit se u kishte thënë udhëheqësve kinezë se mbrojtja e të drejtave të njeriut ishte e domosdoshme.

Kina ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore për nxitje të trazirave në Hong Kong. Protestat që në disa raste kanë qënë të dhunshme gjatë disa muajve të fundit u shkaktuan si rezultat i një projektligji për të lejuar ekstradimin e personave të akuzuar në Kinë. Por që nga ajo kohë, aktivistët i kanë zgjeruar kërkesat e tyre, ndërsa tani ata po bëjnë thirrje për demokraci dhe që udhëheqësit komunistë të Kinës të mos ndërhyjnë në punët e Hong Kongut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG