Lidhje

Ndotja e mjedisit në Kinë


Një pjesë e madhe e Kinës u mbulua këtë javë nga smogu, ndërsa niveli i ndotjes arriti një nivel shumë më të lartë se ai që konsiderohet i shëndetshëm. Kjo e ka intensifikuar debatin në qytete si Pekini, lidhur me masat që mund të merren për pastrimin e ajrit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës William Ide njofton nga Pekini:

Për shumë njerëz në Kinë, ndotja e ajrit gjatë janarit ishte tepër e madhe. Në ajër kishte copa të vogla të dëmshme për shëndetin. Javën e fundit të janarit, smogu kishte mbuluar qytetet, që nga Liaoning në veri, e deri në Guangdong, në jug të vendit.

Industritë që ndotin mjedisin, ndërtimet dhe përdorimi në masë i qymyrit për ngrohje shihen si shkaktarët e kësaj ndotjeje. Autoritetet thanë se moti e keqësoi edhe më tej situatën. Por vëmendje po i kushtohet me këtë rast edhe makinave, sidomos në qytete si Pekini, ku numri i automobilëve është rritur së tepërmi gjatë viteve të fundit.

Në Pekin qeveria e ka kufizuar përdorimin e makinave private, në të paktën një ditë në javë, por disa thonë se kjo nuk mjafton. Xu Yuan, një 31-vjeçar, i cili punon si shitës me pakicë, thotë se është e arsyeshme që qeveria të shqyrtojë mundësinë e më tepër kufizimeve.

Xu thotë se ndërsa kjo gjë mund ta bëjë jetën e përditshme më pak konventiente për disa njerëz, do të ishte më mirë vendosja e më tepër kufizimeve për mjedisin në përgjithësi.

Por personat që i japin makinës megjithatë kanë pikëpajmje të ndryshme. Një burrë me mbiemrin Wang thotë se kufizimet ndaj makinave janë vetëm një pjesë e ndotjes.

Wang thotë se në Pekin, po ashtu pjesë e problemit janë fabrikat dhe ndërtimet . Ai thotë se ndërsa makinat janë ndoshta pjesa më e lehtë e ekuacionit për t’u zgjidhur, duhet bërë më tepër për çështjen e ndotjes industriale.

Wang Bing po ashtu përdor kryesisht makinën për transport. Ai thotë se do të ishte tepër e vështirë për të, në se do të vendoseshin kufizime të tjera, sepse për shumë njerëz ngarja e makinës është bërë tashmë zakon.

Wang thotë se kufizimet jo vetëm që e vështirësojnë transportin, por ato do t’i bënin njerëzit të ndjeheshin sikur nuk kishin këmbë, sepse makina është bërë si këmbët për njerëzit.

Në përpjekje për të kontrolluar smogun në Kinë, qeveria ka filluar pakësimin me 30 për qind të përdorimit të automjeteve në ditët kur nivelet e ndotjes janë të larta.

Gazetarët në Pekin arritën np përfundimin se megjithë kërkesat, shumë njerëz kishin shkelur urdhërat për të mos ngarë makinën, kur niveli i ndotjes arrin nivel të lartë. Sipas një artikulli të gazetës Bejing Youth Daily të Pekinit, ndërsa rreth 8 mijë automjete duhet të mos përdoreshin, gati 900 shoferë nuk i zbatuan këto urdhëra.

Pan Xiaochuan, professor në Fakultetin e Shëndetit Publik në Universitetin e Pekinit, thotë se ka disa masa bazë që mund të ndihmojnë në kufizimin e ndotjes nga makinat.
Pan thotë se autoritetet mund të përpiqen të pakësojnë ndotjen nga makinat, duke rritur standartet dhe në këtë aspekt mund të ndihmojë rritja e cilësisë së karburanteve.

Disa argumentojnë se cilësia e dobët e karburantit në Kinë, me përmbajtje squfuri, është pjesë e problemit të ndotjes në vend. Por përmirësimi i cilësisë së karburantit do ta shtonte çmimin e tij dhe në Kinë përparësi mbetet energjia e lirë.

Pan thotë se nëse bëhen përpjekje për përmirësimin e cilësisë së karburantit, çmimet ka shumë mundësi të rriten dhe kjo do të ishte diçka e vështirë për t’u pranuar nga publiku.

Analistët thonë se përveç trajtimit të çështjes së cilësisë së karburantit dhe inspektimit të standarteve për makinat, është shumë e rëndësishme të bëhet më tepër për trajtimin e trafikut të mbingarkuar në qytete si Pekini. Ata theksojnë se kur makinat bllokohet për shkak trafikut të madh dhe kur makinat lëvizin shumë ngadalë, kjo krijon 5 deri 10 herë më tepër ndotje.
XS
SM
MD
LG