Lidhje

Sofje: Në provë ambiciet e Kinës në Evropën Lindore


French President Emmanuel Macron, center, poses for a selfie after a basketball game during an Africa-France 2021 Summit in Montpellier, southern France.
French President Emmanuel Macron, center, poses for a selfie after a basketball game during an Africa-France 2021 Summit in Montpellier, southern France.

Kina takohet të shtunën me udhëheqësit e Evropës qendrore dhe lindore për një samit ku premtimet e Pekinit për marrëveshje të mëdha në infrastrukturë do t’i nënshtrohen një shqyrtimi më të hollësishëm, ndërkohë q ë disa nga vendet pjesëmarrëse thonë se shumë pak arrihet me takime të tilla vjetore.

Shtete të ndryshme, nga Balltiku në Ballkan, do të takohen me Kryeministrin e Kinës Li Keqiang në samitin e shtatë "16 + 1" në kryeqytetin bullgar, me shpresën për të përfituar kredi të reja nga kompanitë kineze të mbështetura nga bankat shtetërore.

Më shumë se 250 kompani kineze dhe 700 biznesmenë nga Evropa qendrore dhe lindore pritet të marrin pjesë në një forum të posaçëm ekonomik gjatë samitit.

"Qëllimi ynë kryesor është rritja e pranisë së biznesit kinez në Bullgari dhe në të gjithë rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore", tha për Reuters zëvendësministri i Jashtëm i Bullgarisë Georgi Georgiev.

Takimi, i cili vjen më pak se dy javë përpara samitit vjetor të Bashkimit Evropian me Kinën në Pekin, nuk shihet me simpati në Bruksel, i cili e konsideron si një përpjekje për të ndarë Bashkimin Evropian. BE-ja po i kundërvihet gjithashtu presionit kinez për të pranuar një qëndrim të përbashkët kundër politikave tregtare amerikane në takimin e Pekinit.

Kina mohon se kërkon të minojë BE-në.

Li Keqiang, i cili arriti në Sofje të enjten - vizita e parë zyrtare kjo e një kryeministri kinez në Bullgari pas pothuajse dy dekadash, botoi një artikull në dy gazeta bullgare të mërkurën me titullin: "Fillim i ri, shpresë e re, udhëtim i ri".

"Kina, tani dhe në të ardhmen, mbështet integrimin evropian dhe mirëpret një Evropë të bashkuar, të qëndrueshme, të hapur, të begatë dhe një euro të fortë," tha Kryeministri Li.

Pritshmëri modeste

Përveç Kinës, 16 vendet që marrin pjesë në samit përfshijnë anëtarët e BE-së, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia, si dhe shtetet jo-anëtare, Shqipëria, Bosnje dhe Herzegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Ky format, që u mbajt së pari në Varshavë në vitin 2012, fillimisht u përqafua, pasi Kina premtoi miliarda dollarë hua dhe investime për vendet që mbështeten në fondet e zhvillimit të BE-së. Në rastin e Ballkanit Perëndimor, të dëshpëruar për para nga jashtë, premtimet ishin për investime në ndërtimin e hekurudhave, rrugëve, aeroporteve dhe centralet elektrike.

Por disa vende kanë filluar të ankohen për mungesë rezultatesh, si dhe ndonjëherë për vështirësitë që u ka shkaktuar përdorimi i krahut të punës dhe materialeve kineze, për financimin dhe kushtet kontraktuale, si dhe për vështirësitë me standardet e BE-së.

Agjenda e samitit është më modeste kësaj radhe, pjesërisht sepse vjen vetëm shtatë muaj pas takimit të fundit në Hungari në nëntor.

Më parë këtë vit, zyrtarët evropianë thanë se Kina po shqyrton kalimin në një samit dyvjetor, pjesërisht për shkak se formati i tanishëm ndoshta po dëmton imazhin e saj në kryeqytetet e Europës Perëndimore.

Por Pekini papritur ndryshoi kurs pas komenteve negative në media, duke vendosur një datë më të hershme sesa pritej, pak para se Kryeministri Li të marrë pjesë në konsultimet gjermano-kineze në Berlin.

Kina dhe mikpritësi i samitit, Bullgaria, po përpiqen të gjejnë një temë kryesore për komunikatën përfundimtare të samitit, thanë diplomatët evropianë, pasi qeveritë e veçanta kërkojnë të negociojnë gjuhën për të pasqyruar interesat e tyre. BE-ja do të ketë statusin e vëzhguesit në samit. Është ftuar gjithashtu Greqia, që nuk është pjesë e 16 + 1.

Në një takim përgatitor në Sofje në fillim të qershorit, Polonia shprehu zhgënjimin me mënyrën se si u organizuan samitet dhe komunikatat përfundimtare, sipas pjesëmarrësve.

Varshava thotë se firmat kineze braktisën disa objekte ndërtimi në Poloni përpara kampionatit të futbollit Euro 2012.

Zyrtarët sllovakë gjithashtu thonë se aktualisht nuk ka investime të mëdha kineze në vend, ndërsa në Rumani një marrëveshje e vitit 2015 me Kinën për të ndërtuar dy reaktorë bërthamorë me vlerë rreth 6 miliardë euro nuk ka përparuar.

Hungaria dhe Serbia, megjithatë, mbeten entuziaste. Një delegacion i diplomatëve gjermanë dhe francezë shkuan në Budapest këtë vit për të bindur Hungarinë që të distancohej nga Kina, por kjo u refuzua, sipas zyrtarëve në Berlin.

Investime të paplotësuara

Shumë nga ofertat e financimit për infrastrukturën janë pjesë e planit "Një Brez një Rrugë" të Pekinit për të ndërtuar lidhje transporti dhe tregtie nga Azia në Evropë, ndërkohë që Kina duket se po e rrit ndikimin.

Muajin e kaluar, Hungaria finalizoi kalendarin e ndërtimit për lidhjen hekurudhore Budapest-Beograd, një nga projektet më të mëdha të infrastrukturës të mbështetura nga kinezët në rajon.

Jashtë Hungarisë, investimet kineze nuk i kanë përmbushur pritshmëritë, edhe pse shumat e sakta të investimeve janë të paqarta.

Ministria e tregtisë e Kinës tha vitin e kaluar se investimet e përgjithshme të Kinës në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore ishin rritur në masën prej më shumë se 8 miliardë dollarë deri në vitin 2016

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG