Lidhje

Kina, thirrje SHBA-së dhe Koresë së Jugut të shmangin rritjen e tensioneve


Kina, thirrje SHBA-së dhe Koresë së Jugut të shmangin rritjen e tensioneve
Kina, thirrje SHBA-së dhe Koresë së Jugut të shmangin rritjen e tensioneve

Kina i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut të shmangin rritjen e tensioneve tani që dy vendet i dhanë fund një manovre të madhe detare në Detin e Verdhë. Por zyrtarët e ministrisë koreanojugore të mbrojtjes thanë se janë duke biseduar për një manovër tjetër të madhe me Shtetet e Bashkuara, e cila mund të zhvillohet brenda këtij muaji. Ndërkohë, Koreja e Jugut ka në plan që javën tjetër të zhvillojë manovrat e saj të artilerisë me municion luftarak:

Sipas citimeve të agjencisë jugkoreane të lajmeve Jonhap, komanda ushtarake ka njoftuar se manovrat do të zhvillohen pranë ishullit Daeçong, i cili ndodhet në jug të kufirit të debatueshsëm mes dy Koreve në Detin e Verdhë. Koreja e Veriut sulmoi me artileri një ishull tjetër ku forcat jugkoreane po zhvillonin manovra javën e kaluar duke shkaktuar viktima. Në Pekin, agjencia zyrtare e lajmeve Sinhua citonte ministrin e jashtëm, Jang Gjieçë, sipas të cilit të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë dhe të tregohen të përmbajtura. Ai është zyrtari më i lartë kinez që ka komentuar deri tani mbi krizën.

Manovrat e përbashkëta detare që përfunduan sot, ishin më të mëdhatë në muajt e fundit. Në to morën pjesë mijra marinarë, 75 avionë dhe 10 anije, duke përfshirë aeroplanmbajtësen bërthamore George Washington.

Zyrtarët e Koresë së Jugut thanë se nuk kanë vendosur ende për kohën dhe natyrën e manovrave të reja por lanë të kuptohet se ato mund të bëhen këtë muaj ose në fillim të vitit tjetër.

Koloneli Kim Jung-çol, i shtabit të bashkuar për operacionet detare bëri një deklaratë:

"Përmes manovrave të përbashkëta, ushtarët tanë patën rastin ta përqendrojnë vemendjen te një kundërpërgjigje e menjëhershme nëse ka ndonjë provokacion nga armiku. Manovrat e përbashkëta me Shtetet e Bashkuara, të planifikuara rregullisht, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në interes paqes në gadishullin korean."

Ndërkohë, në Nju Jork, diplomatët thanë se Kina po pengon përpjekjet që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të hartojë një deklaratë që dënon Korenë e Veriut për sulmin e saj në ishullin JonPjong dhe për ndërtimin prej saj të një objekti për pasurimin e uraniumit.

Diplomatë të paidentifikuar u thanë agjencive të lajmeve se Kina nuk është e gatshme të lejojë përdorimin e termit “dënoj” ose që të thuhet se Koreja e Veriut po shkel rezolutat e OKB-së.

XS
SM
MD
LG