Lidhje

Ndotja e mjedisit në Kinë


Ndërsa në Paris po mbahet takimi global për ndryshimet klimatike, Pekini u gdhi sot i muluar nga smogu i dendur. Autoritetet mbyllën autostradat, pezulluan ndërtimet dhe i paralajmëruan banorët të qëndrojnë brenda.

Qeveria në Kinë ka shpallur “kodin portokalli”, niveli i dytë më i lartë për ndotjen e ajrit. Për qeverinë kineze, ndotja e mjedisit është më tepër se sa një çështje që ka të bëjë me shëndetin. Ajo është gjithashtu një çështje ekonomike.

Ministria për Mbrojtjen e Mjedisit tha se smogu është shkaktuar nga moti “jo i favorshëm”. Çlirimi i gazeve në Kinën veriore shtohet shumë në dimër, me hapjen e sistemit të ngrohjes dhe kur era nuk ka forcën për t’i shpërndarë.

Në Pekinin me 22,5 milionë banorë, ndotja e ajrit në disa zona arrin në shifra tepër të larta, deri në 500. Sipas rregullave qeveritare, kur niveli i ndotjes është 300, banorëve u thonë të qëndrojnë brenda.

Këto shifra të larta të ndotjes theksojnë sfidën me të cilën përballet qeveria, ndërsa përpiqet të marrë masa për ndotjen e shkaktuar nga djegia e qymyrgurit dhe ngrenë dyshime mbi aftësinë e saj për të marrë masa.

Kwong Sum Uin, shefe e Rrjetit për Ajër të Pastër, një grup ambjentalist me bazë në Hong Kong, thotë se qeveria kineze e di që ndryshimet kilmatike janë një çështje ekonomike, po aq sa edhe mjedisore.​

“Qeveria kineze e di se ndryshimet klimatike, apo ndotja e mjedisit nuk janë më një çështje thjesht ambjentaliste, apo e shëndetit publik. Ajo po dëmton edhe ekonominë. Unë mendoj se ata e dinë këtë gjë. Prandaj do të duan të bëjnë diçka për këtë, por do të thoja se kjo përsëri nuk është e mjaftueshme.”

Zonja Kwong thtose se po rritet presioni ndaj qeverisë kineze për të marrë masa:​

“Njerëzit në Kinë nuk janë të kënaqur me situatën e tmerrshme të ndotjes. Kështu që, ndërsa zhvillohet konferenca në Paris dhe në kushtet kur pikërisht tani ka një nivel kaq të lartë smogu, kjo ndoshta do të krijojë presion më të madh ndaj qeverisë kineze, që të marrë më shumë masa.” thotë zonja Kwong.

Vitin e kaluar Kina filloi një luftë kundër ndotjes së mjedisit, pas një vërshimi të smogut në Pekin dhe në rajonet përreth. Kina është zotuar të pakësojë konsumin e qymyrgurit dhe të mbyllë objektet industriale ndotëse. Por zyrtarët e mjedisit pranojnë se ajo zor se do t’i plotësojë standartet e cilësisë së ajrit, të paktën deri në vitin 2030.

Pakësimi i përdorimit të qymyrgurit dhe nxitja për forma të reja energjie pritet të luajnë një rol të rëndësishëm në premtimin e Kinës për të pakësuar çlirimin e gazeve deri në vitin 2030.

XS
SM
MD
LG