Administrata e Presidentit Obama shpalosi një doktrinë të re të sigurisë kombëtare, duke theksuar nevojën për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar diplomatik, duke përdorur forcën ushtarake si burim të fundit. Në dokumentin prej 52 faqesh bërë publik dje, Presidenti Barak Obama shprehet se forca ushtarake duhet të përdoret, por përdorimi i saj nuk duhet të teprohet. Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton tha dje se Shtetet e Bashkuara duhet ta përdorin fuqinë e tyre globale në mënyra të ndryshme dhe nuk mund të kenë një model të militarizuar diplomacie. Përmes strategjisë, diplomacisë dhe zhvillimit i jepet e njëjta peshë si edhe forcës ushtarake.
Bazat e politikës së re për sigurinë kombëtare, janë bërë të qarta. Por strategjia e administratës, e hartuar nën mandatin e Kongresit përbën herën e parë që ky qëndrim formulohet në një dokument të vetëm.
Shtëpia e Bardhë e Presidentit Obama është distancuar nga strategjia e paraardhësit të tij, Presidentit Bush ku theksohej e drejta e veprimit parandalues ushtarak kundër vendeve dhe aktorëve të tjerë që konsideroheshin si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara pas 11 shtatorit, 2001.
Dokumenti i administratës Obama e ripërtërin angazhimin e presidentit Bush për të ruajtur epërsinë e ushtrisë amerikane por gjithashtu thekson angazhimin diplomatik dhe ndërtimin e koalicioneve për të realizuar objektivat politike.
Sekretarja Klinton e cila e shpalosi këtë strategji në Institutin Brookings të Uashingtonit, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të balancojnë dhe integrojnë të gjitha elementet e pushtetit global.
“Forca jonë nuk është dobësuar por ne duhet ta përdorim atë në mënyra të ndryshme. Ne po e zhvendosim drejtimin nga ushtrimi dhe përdorimi i drejtpërdrejtë i forcës, në një kombinim më të sofistikuar dhe më të vështirë të forcës dhe ndikimit indirekt. Pra diplomacia nuk është thjesht një slogan, por ka një kuptim të vërtetë”.
Sekretarja Klinton tha se interesat e politikës amerikane përparohen duke çuar përpara vlerat themelore të Shteteve të Bashkuara, përfshirë demokracinë dhe fuqizimin e gruas. Ajo tha se ushtria vetë, duke analizuar përvojat në Irak dhe Afghanistan ka arritur të kuptojë kufizimet e përdorimit të forcës.
“Një nga gabimet që vetë ushtria beson se është bërë në administratën e mëparshme, është se ne militarizuam praninë amerikane në këto zona të vështira konflikti. Dhe ka shumë arsye të forta që e bënin të nevojshme një gjë të tillë. Por ne nuk mund të kemi një model të militarizuar të diplomacisë dhe zhvillimit dhe parashikojmë të jemi të suksesshëm në të gjitha këto nivele të tjera angazhimi me qeveritë e tjera”.
Dokumenti i administratës së presidentit Obama thekson gjithashtu lidhjen mes gjendjes ekonomike të Amerikës dhe ndikimit të saj në vende të tjera. Zonja Klinton tha se me nivelin aktual borxheve dhe defiçitit, Shtetet e Bashkura nuk kanë si të mos e humbasin ndikimin e alternativat vendim-marrëse.
“Kjo është një nga përparësitë kryesore të kësaj administrate. Do ta shihni të pasqyruar në strategjinë e saj të sigurisë kombëtare. Dhe ne duam që të përpiqemi të fillojmë me publikimin e kësaj strategjie, të paraqesim argumentat për uljen e defiçitit dhe mbajtjen e borxheve nën kontroll si çështje të sigurisë kombëtare, duke e pranuar se kjo do të jetë një sfidë politikisht”.
Dokumenti e quante një gjendje të shëndoshë ekonomike, një burim të fuqisë amerikane. Në strategji përsëritej gjithashtu synimi i Shteteve të Bashkuara për shkatërrimin e al-Kaidës, por si objektiv paralel me forcimin dhe nxitjen e të drejtave të njeriut.