Lidhje

Klinton:Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të hyjnë në rrugën e integrimit evropian


Klinton:Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të hyjnë në rrugën e integrimit evropian
Klinton:Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të hyjnë në rrugën e integrimit evropian

Sekretarja Klinton pati sot një takim me të rinjtë në Prishtinë gjatë të cilit ajo foli rreth përparimit të bërë nga Kosova në rrugën e demokracisë dhe të rindërtimit si dhe mbi perpektivën e integrimit të saj në institucionet evroatlantike. Ajo premtoi se do të punojë që më shumë vende ta njohin Kosovën.

Sekretarja Klinton tha se ishte e gëzuar për këtë dialog me të rinjtë e Kosovës që përbëjnë edhe popullsinë më të re në Evropë. Ajo tha se mënyra se si Kosova po ecën përpara është shumë inkurajuese.

Kosova, tha zonja Klinton, po bën përparim në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta ndihmojnë Kosovën që ky përparim të vazhdojë.Ajo tha se është e nevojshme të bëhet përparim në sistemin e arsimit, të shëndetësisë dhe të shërbimeve për të cilat populli i Kosovës ka nevojë.

Zonja Klinton tha se nga biseda që kishte patur me kryetarët serbë të komunave ishte e kënaqur me përpjekjet për integrimin e pakicave.

Sekretarja amerikane e Shtetit tha se dialogu i pritshëm midis Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e problemeve të mbetura mes tyre do të jetë shumë i rëndësishëm për të dy vendet në mënyrë që Prishtina dhe Beogradi të mund të ecin drejt integrimit evropian. Kjo, tha ajo, do të shërbente edhe si shembull real për pjesën tjetër të Ballkanit si dhe në Evropë se si mund të ekzistojnë shoqëri të integruara ku diferencat etnike dhe fetare tolerohen. Zonja Klinton, shprehu shpresën se Kosova do të shkojë drejt integrimit evropian dhe euroatlantik.

Shtetet e Bashkuara, tha sekretarja e shtetit, besojnë se të gjitha vendet e Ballkanit duhet të hyjnë në rrugën e integrimit evropian, duke filluar me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, sidomos për të rinjtë që ata të mund të udhëtojnë, studiojnë, punojnë dhe të tregojnë historinë e Kosovës përtej kufijve të saj.

E di, tha zonja Klinton, se rruga përpara është plot sfida, por ajo që keni kapërcyer ju dhe prindërit tuaj ju ve në një pozitë të fortë për të ndërtuar vendin tuaj, për të qenë model për veten tuaj dhe për të tjerët në rajon si dhe për të luajtur një rol të rëndësishëm në Evropë në të ardhmen. Ajo premtoi se do të angazhohet për të ndihmuar që ata ta arrijnë këtë.

E pyetur mbi perspektivën e intergrimit evropian për Kosovën, zonja Klinton tha se në Bruksel do t’u raportonte kolegëve evropianë ato që pa në Bosnje, Serbi dhe Kosovë.

“Do t’u raportoj atyre se personalisht, si sekretare e shtetit dhe në emër të qeverisë sime e ndjej se integrimi evropian nuk është i plotë pa Ballkanin. Europa duhet të jetë e bashkuar dhe e plotë. Kjo do të kërkojë kohë. Do të duhet kohë për të plotësuar të gjitha kërkesat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por ne besojmë se ky proces është në interes të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara,” tha zonja Klinton.

E pyetur se a duhet të ndjehen Kosovarët të harruar tani që Serbia po afrohet më pranë Brukselit edhe pse nuk ka kapur kriminelët e luftës, zonja Klinton tha se nuk mendonte ashtu.

“Derisa doli vendimi i GJND-së disa javë më parë, pati disa që kishin pikëpyetje rreth pavarësisë së Kosovës. Megjithëse ndjeheni se keni bërë gjithçka ju është kërkuar, koha fillon tani. Shumë nga reformat që po ndërmerrni, zgjedhjet e ardhshme, mënyra se si do të zhvillohen ato... çdo gjë që bëni tani e tutje do të tërheqë mjaft vëmendje. Kjo është një mundësi për Kosovën të pëparojë dhe të fitojë vendin që i takon. Unë do të punoj që më shumë vende ta njohin Kosovën,” tha zonja Klinton.

Këshilla ime, tha ajo, është qëndroni në këtë kurs, në këtë rrugë që jeni tani, bëni ndryshimet që e dini se duhet të bëni, ripajtohuni me njëri tjetrin, zgjidhni problemin me veriun në mënyrë që serbët të ndjehen të integruar, filloni dialogun me Serbinë. Dhe këto do të forcojnë argumentin që mund t’i paraqitet Bashkimit Evropian, tha zonja Klinton.

XS
SM
MD
LG