Policia e Gjirokastrës zbuloi në zonën “Industriale” në periferi të qytetit të qytetit një serë të kultivuar me marijuanë.
Në serën me kushte moderne rriteshin bimët e marijuanës me anë të llampave elektrike.
Një rast i ngjashëm ishte zbuluar një vit më parë në një tunel në zonën e Xarrës së Sarandës.
Operacioni i policisë në Gjirokastër, i koduar “Neonët”, vuri në pranga një shtetas nga Lazarati, i cili kishte në pronësi të tij një nga mjediset e kësaj magazine me sipërfaqje rreth 70 m2.
Kjo sipërfaqe ishte përshtatur, sipas policisë, si serë me sistem ngrohje me llampa elektrike neoni.
Policia tha se zbuloi 350 bimë marijuane me lartësi nga 25 cm deri 40 cm.
Bimët narkotike u asgjësuan në vend me anë të djegies, ndërsa pajisjet elektrike që shërbenin për ngrohje u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me disa bimë narkotike.
Burimet policore jo zyrtare kanë pohuar se ka edhe sinjale për kultivim të marijuanës me kubikë në mjedise të mbyllura nga banorë të Tepelenës, Gjirokastrës dhe Përmetit dhe së shpejti pritet të nisë verifikimi në terren i informacioneve të marra në rrugë operative.