Gjykata Administrative vendosi sot ndalimin e punimeve për hidrocentralin e Poçemit mbi Lumin Vjosë pas kërkesës së një komuniteti banorësh të zonës së Mallkastrës, në Jug të Shqipërisë dhe aktivizimit të disa organizatave mjedisore vendase dhe të huaja.
Sipas gjykatës ndërtimi i Hidrocentralit të Poçemit ndikon negativisht në mjedisin dhe jetën e banorëve të fshatit Kutë dhe zonës përreth dhe zbatimi i projektit nuk duhet të bëhet.
Gjatë hetimit gjyqësor është vërejtur se nuk është respektuar praktika ligjore mbi Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis të projektit dhe përjashtimi i publikut nga proceset e detyrueshme ligjore të këshillimit dhe diskutimit të projektit. Qeveria mori Korrikun e vitit 2015 një vendim mbi Hidrocentralin e Poçemit për të pranuar një koncesion 35-vjeçar të pakërkuar nga një kompani turke duke i akorduar asaj 8 pikë bonus në tenderin që u zhvillua më vonë.
Hidrocentrali i Poçemit është pjesë e një programi teknik që synonte të shfrytëzonte kaskadën e lumit Vjosa për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri. Kaskada e Vjosës sipas projektit të hartuar para viteve nëntëdhjetë lejonte ndërtimin e nëntë hidrocentraleve nga kufiri 350 metra mbi nivelin e detit ku Vjosa hyn në territorin e Shqipërisë deri në kuotën 9 metra mbi det pranë Selenicës në rajonin e Vlorës.
Projekti fillestar i Hidrocentralit të Poçem parashikonte fuqi të instaluar prej 50 MW dhe prodhim vjetor prej 200 milionë kWh. Një tjetër Hidrocentral mbi Lumin Vjosë, ai i Kalivacit në rrethin e Tepelenës është braktisur nga punimet ndërtuese pas problemeve të Kompanisë që kishte fituar koncesionin.
Dhjetëra koncesione Hidrocentralesh, burim konflikti me komunitetet vendore
Pak kohë më parë Grupimi joqeveritar i disa organizatave mjedisore në Shqipëri “Të mbrojmë lumenjtë” kërkoi miratimin e një Moratoriumi 3 vjeçar të zhvillimit dhe zbatimit të projekteve të Hidrocentraleve në të gjithë territorin e vendit. Grupimi vëren se “përgjatë viteve 2002-2016 janë identifikuar 183 marrëveshje koncesionare të firmosura nga qeveritë shqiptare për ndërtimin e 524 hidrocentraleve.
Sipas Grupimit “Të mbrojmë lumenjtë” rreth 117 Hidrocentrale janë në punë të licencuar nga ERE,43 të tjera janë në ndërtim dhe 364 Hidrocentrale janë të planifikuara nga Ministria e Energjisë, por nuk kanë filluar akoma të ndërtohen.
Krahas rrezikut për të dëmtuar mjedisin në mënyrë të pakthyeshme duke shkaktuar prishjen e peizazhit, habitateve dhe biodiversitetit, ndryshimin e regjimit të rrjedhës ujore dhe përmbytje, hidrocentralet në shumicën e tyre ndodhen në zona me ndjeshmëri të lartë mjedisore dhe sociale, në zona të mbrojtura natyrore dhe në toka të banuara. Ndërtimi i Hidrocentralev ka shkaktuar debate, kundërshtime, konflikte, protesta dhe padi në lidhje me dëmet.
Reagime të forta kohëte fundit ka pasur për ndërtimin e Hidrocentralit të Poçemit në Lumin e Vjosës ku banorët e kanë dërguar cështjen në gjykatë. Disa HEC-e në Parkun Kombëtar të Lumit të Valbonës dhe Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanicë po ashtu janë kundërshtuar fuqishëm nga komunitetet e banorëve. Në një studim mbi “Rastet e konflikteve ujore të lidhura me zhvillimin e hidroenergjisë në Shqipëri” të kryer nga disa organizata aktive mjedisore, janë evidentuar të paktën 18 raste konfliktesh të lidhura me hidrocentralet gjatë periudhës 2012-2016. Në 18 rastet e evidentuara janë raportuar 6 viktima të lidhura ngushtë me projektet e hidrocentraleve (tre viktima nga aksidente në punë, një viktimë nga konflikti i lindur nga ndërtimi HEC-it, një i plagosur dhe 1 tentativë vrasje).
Studimi i Grupimit “Të mbrojmë lumenjtë” vlerëson se “në asnjë nga rastet konfliktuale të identifikuara, palët nuk kanë arritur në marrëveshje zyrtare bashkëpunimi për shkak të protestave apo kundërshtive nga banorët vendas”. “Transformimi apo përvetësimi i territorit dhe ekosistemit nga përdorues të rinj (shoqëritë koncesionare energjetike) i kanë zhvendosur dhe iu kanë hequr të drejtën tradicionale të përdorimit të ujit dhe kanë kërcënuar shtresa të ndryshme të shoqërisë”, thuhet në studimin e sapo publikuar. Sipas studimit “rreth 52% të intervistuarve deklarojnë se komunitetet vendore/fermerët dhe fshatarët janë grupi më i prekur”.
“Në 67% të rasteve, reagimi ka nisur pasi makineritë kishin filluar gërmimet në vend”, vlerëson studimi. Pak kohë më parë me reagimet kundërshtuese të grupeve komuniatre u bashkuan edhe drejtuesit në 5 Bashkitë në Jug të Shqipërisë. Përmes një letre për autoritetet e larta të shtetit ata kundërshtuan planet e qeverisë shqiptare për ndërtimin e Hidrocentraleve në Luginën e Lumit “Vjosa”.
Facebook Forum