Komisioni Evropian i bëri thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri të shpallë pa vonesë rezultatet e zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Thirrja e bërë të premten erdhi pasi protestat e disa ditëve në Tiranë u përhapën në mbarë vendin për shkak të vendimit të komisionit qendror për të rinumëruar votat në një pjesë të kutive.
Demonstruesit e opozitës u përleshën me policinë përpara godinës së komisionit zgjedhor dje ku po kryhet rinumërimi. Protestuesit u përpoqën të kalonin përtej kordonit të policisë pranë godinës. Komisioni zgjedhor thotë se rinumërimi është i nevojshëm pasi disa vota janë kontestuar.
Tensionet politike bënë që presidenti i Komisionit Evropian Zhose Manuel Barroso të anulonte vizitën e planifikuar për të premten në Tiranë. Zëdhënësja e Komisionit Evropian Natasha Butler mohoi thëniet se anulimi flet për një zbutje të angazhimit të komisionit ndaj Shqipërisë. Ajo tha se komisioni po vëzhgon nga afër situatën.