Lidhje

Konferenca e vitit 2012 kundër Sidës


Në korrik në Uashington do të zhvillohet konferenca më e madhe botërore për SIDA-n. Rreth 20 mijë delegatë nga 200 vende dhe më shumë se 2 mijë gazetarë pritet të marrin pjesë në konferencën SIDA 2012. Do të jetë hera e parë që ngjarja zhvillohet në Shtetet e Bashkuara qysh nga viti 1990. Para conferences, drejtori i Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Thomas Frieden, dha një pasqyrë të epidemisë këtu në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë vendit. Dr. Thomas Frieden foli në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

"Eshtë e lehtë të harrosh sesa e rëndë ka qënë epidemia e virusit HIV. Ky virus ka vrarë tashmë në këtë vend aq njerëz sa kanë vdekur në të gjitha luftrat që nga ajo civile".

Zoti Frieden thotë se në mbarë botën virusi HIV dhe SIDA mbeten sfidat infective më të mëdha, më shumë se 30 vjet pasi u shfaq epidemia.

"Ka patur 65 milionë infeksione me HIV dhe 30 milionë vdekje që kur filloi epidemia. Vetëm në vitin 2010 pati 2.7 milionë infektime të reja dhe 1.8 milionë vdekje".

Shumica e infeksioneve dhe vdekjeve kanë ndodhur në Afrikën nënsahariane. Në fillim, përpara se sëmundja të kishte emër, ajo quhej sëmundja e dobësimit pasi njerëzit e infektuar humbisnin shumë peshë.

"Në kulmin e epidemisë në Afrikë, virusi HIV fajësohej për dy të tretat e vdekjeve mes të rriturve. A mund ta imagjinoni si do të ndikonte kjo në komunitetin tuaj? Pati zona ku bizneset që lulëzuan ishin ato të funeralëve".

Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga fillimi i epidemisë. Raporti për përparimin global në luftën kundër SIDAs në vitin 2011 thotë se rastet vjetore të virusit HIV kanë rënë që në vitin 2001 në 33 vende, 22 prej të cilave janë në Afrikën nënsahariane. Numri i përgjithshëm i vdekjeve ka rënë që nga kulmi prej 2 presje 2 milionë në 2005. Megjithatë infeksionet dhe vdekjet po shtohen në Evropën Lindore dhe Azinë Qëndrore.

Frieden e cilëson 2012ën vitin e kthesës. Ka patur përparime në kërkimet për vaksinën, mikrobicidet dhe vecanërisht në përdorimin e ilaceve antiretrovirale.

"Ne e dimë se trajtimi për parandalimin ka provuar pakësimin në përhapjen e virusit me 96 përqind. Kjo është një provë e shkëlqyer përparimi. Ne e dimë tani se me trajtim jo vetëm që do jetosh më gjatë dhe në mënyrë të shëndetshme, por do të kesh 96 përqind më pak shanse të përhapësh virusin tek të tjerët. Kjo është shumë e rëndësishme".

Qeveria amerikane ka thënë se synimi për një gjeneratë pa SIDA është pranë.

"Kjo do të thotë që asnjë fëmijë të mos lindë me infeksionin HIV; që të rriturit të cilët jetojnë me virusin HIV të mos përparojnë drejt SIDEs; të ketë një rënie të shpejtë të rasteve të virusit HIV; kombinimi i parandalimit të mund t’ja ndryshojë drejtimin baticës së infektimeve".

Konferenca e 19të Ndërkombëtare për SIDAn do të mbahet në Washington, nga 22 deri në 27 korrik.

Frieden pret të ketë disa protesta gjatë konferencës, ndoshta lidhur me shkurtimet e buxhetit tani që vendet e ndryshme përpiqen të mëkëmben nga recesioni global. Por ai thotë se aktivistët kanë luajtur një rol madhor gjatë tre dekadave.

"Në se nuk do të kishte mbrojtës të kësaj çështjeje nuk do të ishim këtu ku jemi sot. Jo vetëm për HIVin por për shumë sëmundje të tjera. Përkrahësit e kësaj kauze mendoj se u kanë hapur rrugën njerëzve që vuajnë nga një sërë sëmundjesh për të kërkuar trajtime më të mira, rezultate më të shpejta dhe për të patur informacionet më të reja".

Frieden thotë se siguria në shëndetësi do të thotë që gjithkush të jetë i lidhur përmes “ajrit që thithim, ujit që pimë dhe ushqimit që hamë.” Ai shton se “një rrezik në çdo vend qoftë është rrezik i mundshëm për të gjithë.”

XS
SM
MD
LG