Lidhje

Konferenca e Londrës, do të vazhdojnë sulmet ajrore, por nuk do të armatosen kryengritësit libianë


Konferenca e Londrës, do të vazhdojnë sulmet ajrore, por nuk do të armatosen kryengritësit libianë
Konferenca e Londrës, do të vazhdojnë sulmet ajrore, por nuk do të armatosen kryengritësit libianë

Diplomatë prej shumë vendeve të fuqishme të botës u takuan dje në Londër dhe ranë dakort të vazhdojnë sulmet ajrore të koalicionit kundër trupave qeveritare dhe objektivave të tjera në Libi, por nuk morën vendim nëse do të armatosin forcat rebele. Takimi u zhvillua ndërkohë që forcat besnike të udhëheqësit libian Moamar Gadafi i detyruan rebelët të tërhiqeshin në Bin Xhiuad, qytet bregdetar pranë qytetit Sirte, vendlindja e zotit Gadafi.

Tanket dhe predhat e qeverisë goditën forcat rebele në Bin Xhiuad, ndërkohë që rebelët marshonin drejt Sirtes, duke i detyruar ata të tërhiqeshin drejt lindjes. Forcat pro-Gadafit luftuan me rebelët edhe në zona të tjera të Libisë dhe në kryeqytetin Tripoli u dëgjuan disa shpërthime të forta.

Në Londër, rreth 40 ministra të jashtëm diskutuan mbi të ardhmen politike të Libisë pa zotin Gadafi. Sekretari i Jashtëm britanik Uilliam Hejg:

“Kemi rënë dakort të kërkojmë nga OKB-ja dhe organizatat rajonale sanksione të tjera ndaj individëve dhe organizmave që kanë lidhje me regjimin. Pjesëmarrësit këtu po i zbatojnë këto masa si mesazh i qartë për zotin Gadafi se ai nuk mund t’i sulmojë civilët pa mëshirë.”

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton e mbrojti pjesëmarrjen e Amerikës në fushatën ushtarake kundër zotit Gadafi.

“Kemi parandaluar masakrën në Bengazi dhe avancimin ushtarak nga perëndimi drejt lindjes, dhe kemi dërguar një mesazh të qartë përmes vullnetit të komunitetit ndërkombëtar për të zbatuar zonën e ndalim-fluturimeve dhe mbrojtur civilët. Kemi treguar se ajo sjellje mizore nga një udhëheqës kundrejt popullit të vet nuk do të tolerohet.”

Në Uashington, admirali Xhejms Stavridis u tha ligjvënësve në senat se raportet e zbulimit tregonin mundësinë e lidhjeve të al-Kaidës dhe Hezbollahut me rebelët libianë, por ai hodhi poshtë mundësinë e një lidhjeje të ngushtë. Zoti Stavridis është Komandanti i Suprem i Aleancës së NATO-s në Evropë.

Ja si u shpreh sekretarja Klinton për rebelët.

“Po mblidhen informacione, jo vetëm nga qeveria jonë, por edhe nga qeveritë e tjera të koalicionit dhe po përpiqemi të kuptojmë, por ndërkohë mund të them se puna po vazhdon.”

Komentet e Sekretares Klinton pasuan ato të presidentit Barak Obama në mbrojtje të përfshirjes amerikane në fushatën ushtarake të koalicionit kundër Libisë. Ai tha në një fjalim televiziv të hënën se Shtetet e Bashkuara nuk kishin zgjedhje tjetër përveç se të vepronin.
Një anketë e zhvilluar para fjalimit tregonte se gjysma e amerikanëve të anketuar nuk mendonin se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kishin një objektiv të qartë në Libi.

Stivën Hes në Institutin Brukings thotë se mbështetja jo shumë e fuqishme për ndërhyrjen amerikane nuk është e papritur, sidomos pasi presidenti Obama premtoi se do t’ia dorëzonte NATO-s kontrollin e operacioneve.

“...dhe siç tha ai, do të na kushtonte shumë më pak, në një kohë që kongresi po lufton mbi shkurtimet masive të shpenzimeve që ndikojnë tek amerikanët çdo ditë – arsimi, kujdesi shëndetësor etj. Dhe operacioni në Libi hyn në hisen e parave që amerikanët paguajnë në taksa.”

Deri tani, Pentagoni thotë se kostoja e Shteteve të Bashkuara për operacionin në Libi është 550 milion dollarë. Vendet perëndimore filluan zbatimin e zonës së ndalim-fluturimeve mbi Libi me 19 mars.

XS
SM
MD
LG