Lidhje

Ligjvënësit demokratë, padi kundër Pres. Trump


Ligjvënësit demokratë të Kongresit amerikan ngritën sot një padi federale ku akuzojnë presidentin Donald Trump se ka pranuar para nga vende të huaja nëpërmjet bizneseve të tij, në kundërshtim me Kushtetutën.

Padia është firmosur prej rreth 200 ligjvënësve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit. Ajo bazohet tek një nen i Kushtetutës amerikane, që ndalon çdo person që mban poste publike të pranojë dhurata apo para nga ndonjë shtet i huaj, pa miratimin paraprak të Kongresit.

Përpara se të kandidonte për Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump ishte biznesmen në fushën e pasurive të patundshme që kishte në pronësi disa hotele dhe prona të tjera në mbarë botën. Ai ua ka kaluar menaxhimin e bizneseve dy djemve të tij, por ka ruajtur pronësinë mbi kompaninë.

Dje Prokurori i Përgjithshëm i Uashington DC-së dhe shteti i Merilendit ngritën padi ndaj zotit Trump, duke e akuzuar për përdorimin e presidencës me qëllim pasurimi.

Një tjetër padi u paraqit nga një grup jofitimprurës që punon mbi etikën në politikë. Padisë së tyre iu bashkuan pronarë hotelesh dhe restorantesh që pretendojnë se statusi i zotit Trump si president i vendit u krijon disavantazh në konkurimin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG