Lidhje

Udhëheqës i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve


Ligjvënësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve kanë zgjedhur një ligjvënës nga Kalifornia si udhëheqësin e ri të shumicës në këtë Dhomë të Kongresit.

Ligjvënësi Kevin McCarthy, përfaqësues për të tetin vit në Kongres, fitoi dje zgjedhjet e brendshme në parti. Si udhëheqës i shumicës, 49-vjeçari McCarthy bëhet republikani numër 2 i Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, pas Kryetarit të Dhomës John Boehner.

Pas zgjedhjes së McCarthyt, republikanët votuan për të zgjedhur ligjvënësin nga Luiziana Steve Scalise si numrin 3 të Dhomës. Një ndër detyrat e tij është të sigurojë vota për projekt-ligje që mbështesin udhëheqësit e partisë.

Zakonisht udhëheqësit partiakë në Kongres zgjidhen në fillim të sesionit dy vjeçar, por McCarthy do ta fillojë detyrën e re në gusht. Udhëheqësi aktual Eric Cantor do të tërhiqet nga detyra në fund të korrikut, pasi u mund në zgjedhjet partiake në distriktin e tij në Virxhinia.
XS
SM
MD
LG