Lidhje

Ligjvënësit analizojnë sulmin me armë në Uashington


Një ditë pas sulmit vdekjeprurës me armë në Kantierin e Marinës në Uashington, ligjvënësit amerikanë duan të dinë se si një njeri që njoftohet se ka patur probleme të shëndetit mendor dhe një histori të keqpërdorimit të armëve ishte në gjendje të siguronte punësim në qeverinë federale dhe kishte qasje në një nga mjediset më të sigurta ushtarake. Ligjvënësit nuk ishin të një mendimi nëse Kongresi duhet të rishikojë legjislacionin mbi kontrollin e armëve në përgjigje të incidentit të fundit me armë zjarri në vend.

Senatori demokrat Chris Murphy përfaqëson qytetin Njutaun të Konektikatit, ku vitin e kaluar u vranë me armë zjarri 26 njerëz në shkollën fillore Sandy Hook. Që atëherë, ligjvënësi Murphy ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj në senat të legjislacionit për kontrollin armëve. Ai thotë se sulmi me armë zjarri në Kantierin e Marinës në Uashington është një kujtim i hidhur i nevojës për ligje më të forta të kontrollit të armëve.

"Njerëzit nuk e kuptojnë se pse Kongresi nuk po bën asgjë, ndërkohë që numri i sulmeve me armë zjarri vazhdon të rritet. Mendoj se njerëzit në Njutaun tundin kokat, kur shohin sulme të tjera me armë zjarri dhe indiferencën e mëtejshme të Kongresit."

Kolegu i tij demokrat, Richard Durbin vuri në dukje se në fillim të këtij viti projektligji për kontrollin e armëve dështoi në Senat për shkak të kundërshtimeve kryesisht republikane ndaj kufizimeve të reja dhe kushteve për blerjen e armëve të zjarrit .

"Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i mbajtur armët larg duarve të atyre që i keqpërdorin ato, pra kundër kriminelëve të cilët kanë një histori të keqpërdorimit të armëve të zjarrit, atyre që kanë probleme mendore dhe nuk mund t’u besohet posedimi i armëve."

Ligjvënësit republikanë nuk kanë treguar interes ndaj rishikimit të ligjeve të kontrollit të armëve. Por disa prej tyre thonë se incidenti në Kantierin e Marinës në Uashington ngre çështje të tjera të rëndësishme. Senatori Lindsey Graham thotë se sulmuesit, Aaron Alexis, kurrë nuk duhej t’i jepej e drejta për të punuar si kontraktor ushtarak.

"Për mua , kjo nuk lidhet me kontrollin e armëve. Kjo ka të bëjë me atë që po ndodh në forcën tonë të kontraktorëve. Si është e mundur që Alexis të kalojë kontrollin mbi të kaluarën e tij dhe të punësohet nga qeveria federale, pasi ai kishte keqpërdorur armët dy herë? Kur i qëlloni gomat e makinës së një njeriu për shkak se jeni i zemëruar me të, ju jeni një kandidat i mirë për të mos punuar për qeverinë federale."

Një tjetër republikan, senatori John McCain, vë në dukje se, përveç shkeljeve që lidhen me keqpërdorimin e armëve, Alexis ishte trajtuar edhe për probleme të shëndetit mendor.

"Ne gjithashtu duhet të përqendrojmë vëmendjen tonë tek njerëzit me probleme mendore dhe nëse ata duhet të kenë qasje ndaj armëve apo jo. Unë mendoj se të gjithë amerikanët janë dakord mbi këtë çështje."

Senatori demokrat Chris Murphy thotë se trajtimi i çështjes së shëndetit mendor është shumë i nevojshëm, por nuk është i mjaftueshëm.

Ndërkohë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney akuzoi kundërshtarët e kontrollit të armëve se po shpërfillin vullnetin e popullit në favor të grupeve politikisht të fuqishme të vendit për të drejtën e armëmbajtes.

Në ndërtesën e Kongresit, ligjvënësit po ndjekin me vëmendje fatin e dy ligjvënësve shtetërore në Kolorado të cilët kohët e fundit humbën ulëset e tyre pas mbështetjes së legjislacionit për kontrollin e armëve.
XS
SM
MD
LG