Lidhje

Kongresi kthehet në punë, ndërsa presidenti Obama bën thirrje për veprim


Kongresi kthehet në punë, ndërsa presidenti Obama bën thirrje për veprim
Kongresi kthehet në punë, ndërsa presidenti Obama bën thirrje për veprim

Anëtarët e Kongresit kthehen sot në punë pas pushimeve të gushtit. Ndërsa papunësia në vend nuk bie nën 9 për qindëshit, Kongresi ka të ngjarë të përqëndrohet në përpjekjet për krijimin e vendeve të reja të punës, megjithëse demokratët dhe republikanët nuk bien dakord mbi kursin që duhet ndërmarrë. Presidenti Barak Obama do të mbajë të enjten një fjalim para dy dhomave të Kongresit, ku do të njoftojë një propozim të rëndësishëm për hapjen e vendeve të punës. Shtrohet pyetja: Si mund të përgjigjet kongresi?

Ligjvënësit u larguan nga Uashingtoni pas një debati të ashpër lidhur me rritjen e tavanit të borxhit, që rezultoi në një marrëveshje në minutën e fundit për të shmangur krizën financiare.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner, nuk lëshoi pe ndaj Presidentit Barak Obama, pasi republikanët nuk pranuan të përfshinin në marrëveshje ndonjë ngritje taksash.

"U përpoqa me të gjitha mënyrat të arrija një marrëveshje me presidentin e Shteteve të Bashkuara, i kërkova të paraqiste planin e tij për të parë se ku qëndronim."

Analisti politik Norman Ornstein thotë se ky gusht ishte ndryshe për ligjvënësit që shkuan në distriktet e tyre.

"Shumica e anëtarëve të Kongresit nuk bënë muajin e kaluar atë që bëjnë çdo vit në gusht e që është mbajtja e takimeve me elektoratin për të mësuar se ç’mendojnë ata. Ligjvënësit kanë frikë të mbajnë takime të tilla sepse njerzit janë të zemëruar."

Disa ligjvënës që zhvilluan takime të tilla u përballën me zemërimin e zgjedhësve.

Për të zgjidhur krizën e borxhit, Presidenti Obama dhe udhëheqësit republikanë të Kongresit krijuan një komision, i përbërë nga 6 republikanë dhe 6 demokratë, të cilët do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje se cilat programe qeveritare do të shkurtohen.

"Ky komision do të përcaktojë shkurtime prej 1.5 trilion dollarësh dhe anëtarët e tij do të përqëndrohen në këtë objektiv, madje ata vetë kanë dëgjuar nga elektorati se cilat programe të shkurtojnë dhe cilat jo dhe nëse taksat do të jenë pjesë e propozimit të tyre final."

Norman Ornstein thotë se publiku amerikan kërkon që Kongresi të përqëndrohet në disa aspekte dhe jo vetëm në krijimin e vendeve të reja të punës. Por ai thotë se nuk ka parë asnjëherë një qeveri kaq jo funksionale.

"Realiteti bazë është se nëse Barak Obama mbështet një ide, s’ka rëndësi se çfarë ideje, ai do të ndeshet me një opozitë të bashkuar republikane. Ne e dimë se beteja lidhur me borxhin nuk është thjeshtë një betejë për borxhin, por ka të bëjë me një çështje më të gjerë; nëse vendi mund të mobilizohet në një revolucion për të reduktuar qeverinë në madhësinë dhe formën e para Marrëveshjes së Re të Franklin Roosevelt."

Megjithë opozitën e ashpër me të cilën është përballur presidenti nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar prej republikanëve, zoti Obama vendosi ta mbajë fjalimin për kthimin në punë të amerikanëve, para dy dhomave të Kongresit. Presidenti pritet t’u bëjë thirrje ligjvënësve që t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet politike, megjithëse që të gjithë e dinë fare mirë se 2012 është një vit zgjedhjesh.

XS
SM
MD
LG