Lidhje

Polemika rreth ushtarit Bergdahl


Sjellja e ushtarit amerikan Bowe Bergdahl, të liruar kohët e fundit nga Talebani, po analizohet nga Kongresi. Shumë ligjvënës republikanë dhe disa demokratë vazhdojnë të kundërshtojnë marrëveshjen për lirimin e ushtarit në shkëmbim për lirimin e pesë operativëve të Talebanit.

Një komision i Dhomës së Përfaqësuesve dëgjoi dëshmi mbi sjelljen e ushtarit që disa thonë se dezertoi nga njësia e tij, si dhe mbi vrasjen e një ushtari tjetër të dërguar me një njësi për gjetjen e Bergdahlit.

Një ditë pas lirimit të Bergdahlit pas mbajtjes peng për pesë vjet, Këshilltarja për Sigurinë Kombëtare e Presidentit Obama, Susan Rice bëri komente në televizion ku tha se Bergdahli kishte kryer shërbimin ushtarak me nder. Cody Full, i cili ka qenë ushtar në të njëjtën njësi me Bergdahlin iu kundërvu komenteve të zonjës Rice duke thënë se ai u largua me dëshirë të lirë nga baza dhe duket se ishte përpjekur për t’u vënë në kontakt me Talebanin:

"E vetmja gjë ku mbështetesh në zonë lufte është besimi që ke tek amerikanët e tjerë. Fakti që dikush tek i cili duhet të kesh besim të tradhton në luftë dhe e bën një gjë të tillë me dëshirë të lirë, është akti më i ulët i tradhtisë”.

Komentet e ish-reshterit Full nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. Komisioni dëgjoi edhe dëshminë e Andy Andrews, babai i oficerit Darryn Andrews, i cili u vra në luftime, siç njoftohet në një përleshje me ekstremistët gjatë kërkimeve për ushtarin Bergdahl:

"Bergdahli u largua vetë, nuk u rrëmbye. Darryn u vra në përpjekje për ta gjetur”.

Presidenti Obama ka thënë se të gjithë ushtarët amerikanë meritojnë të shpëtohen, pavarësisht nga rrethanat në të cilat u kapën.

Gjatë seancës dëgjimore, asnjë nga anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve nuk tha se Bergdahli nuk meritonte lirinë. Por republikania Ileana Ros-Lehtinen tha se nuk do ta kishte bërë shkëmbimin e pengjeve që bëri Presidenti Obama, të propozuar fillimisht në 2011:

"Unë isha kundër shkëmbimit, jo sepse nuk doja lirimin e Bergdahlit. Isha kundër pasi shkëmbimi ishte një fitore e madhe për Talebanin, pasi përbënte kërcënim ndaj sigurisë së burrave dhe grave në radhët e ushtrisë dhe kompromentoi sigurinë kombëtare”.

Këto komente u pasuan nga një përgjigje e ashpër nga ligjvënësi demokrat Ted Deutch, i cili i akuzoi republikanët për hipokrizi:

"Mund të debatojmë nëse paguam çmim të rëndë për lirimin e ushtarit Bergdahl. Por nuk duhet të harrojmë 532 të ndaluarit në Guantanamo, të cilët u transferuan para ardhjes së Presidentit Obama në Shtëpinë e Bardhë, gjatë Presidencës së George Bushit. Përse nuk pati revoltim ndaj atyre lirimeve?”

Ligjvënësi Deutch kritikoi gjithashtu atë që e cilësoi si ngutje në analizimin e sjelljes së ushtarit Bergdahl, para një analize të hollësishme nga Pentagoni.
XS
SM
MD
LG