Lidhje

Kopshtarët nju jorkezë përdorin metodën e ‘hidroponisë’


Kopshtarët nju jorkezë përdorin metodën e ‘hidroponisë’
Kopshtarët nju jorkezë përdorin metodën e ‘hidroponisë’

Ndërsa çmimet artikujve ushqimorë vazhdojnë të rriten, disa njujorkezë po kultivojnë vetë zarzavate, si një mënyrë e shëndetshme dhe më e lirë.

Por me të ftohtin e dimrit, si mund të kultivosh zarzavate të freskëta e të shijshme në mes të njërit prej qytetve më të mëdhenj të botës?

Përgjigja vjen nga rritja e këtyre bimëve me metodën e ‘hidroponisë’ ose rritja e bimëve nëpërmjet ujit dhe jo në tokë.

Ekspertët thonë se kultivimi dhe transportimi i zarzavateve të freskëta kushton më shumë, prandaj shtimi i kostos i kalohet konsumatorit.

Carol Parker Duncanson, drejtoreshë e programit të të ushqyerit dhe shëndetit në Universitetin Kornel shpjegon arsyet për rritjen e çmimeve.

"Një pjesë e mirë e rritjes së çmimeve ka të bëjë me koston e prodhimit të ushqimeve, që përfshin rritjen e kostos së punës, rritjen e çmimit të karburantit dhe të energjisë. Gjithashtu rritja e kostos së transportit të ushqimeve nga kultivuesit tek dyqanet", thotë zonja Duncanson.

Duke pasur parasysh këtë fakt, disa nju jorkezë po eliminojnë koston shtesë të kultivimit të zarzavateve dhe po e bëjnë këtë vetë. Por në mes të dimrit, kultivimi i zarzavateve të freskëta kërkon më shumë teknikë.

Një mënyrë është përdorimi i një metode që e ka origjinën te Egjipti i lashtë, e që quhet ‘hydroponi’. Disa kopshtarë thonë se kjo është mënyra më e përsosur për ta zgjatur sezonin e kultivimit dhe këtë ta bëjnë në një hapësirë të vogël si apartamenti.

Britta Riley, e cila e ka përdorur këtë metodë në New York për 3 vjet, ka filluar një shërbim online për të reklamuar atë që ajo e quan "kultivimi i bimëve në dritare".

"Metoda e hidroponisë ka lindur pikërisht për kultivimin e bimëve në hapësira të mbyllura. Me anë të saj krijohen kushte të përshtatshme, si ngrohtësia e shtëpisë, gjatë dimrit për të kultivuar bimët", thotë zonja Riley.

Sipas saj, kultivimi i bimëve është i mundur gjatë gjithë vitit dhe kjo mund të realizohet me disa artikuj të thjeshtë që i blen në dyqan.

"Në përdorimin e metodës së hidroponisë një prej gjërave që duhen është pompa për të vaditur sistemin e rrënjës. Mund të përdorësh pompa uji, por edhe pompa ajri, të cilat përdorin më pak energji. Duhet edhe për një sahat për të programuar ujitjen si dhe një sistem që zëvëndëson dheun me vlera ushqyese për të ruajtur rrënjën", thotë zonja Riley.

Ajo thotë se me metodën hidroponike mund të kultivohen shumë zarzavate, me disa përjashtime si misri dhe gruri. Por në këtë proces duhen patur parasysh disa faktorë si drita, nivelet e lagështirës në dritare si dhe të ftohtit pranë tyre.

Nëse ke një copë tokë, ekzistojnë dy mënyra për të kultivuar bimë gjatë dimrit.

Kennon Kay, Drejtoreshë e bujqësisë në fermën e distriktit Queens të New York-ut, thotë se mënyrat më të lehta për të zgjatur sezonin e kultivimit janë përdorimi i të ashtuquajturës ‘Rrethe të Shpejta’ dhe ‘Korniza e Ftohtë’.

Rrethet e shpejta është një mënyrë e lirë e zgjatjes së sezonit të kultivimit në kopështin personal. Blen një tub rreth 3 metra të gjatë, mer edhe tuba elektritë rreth një centimetër dhe i fut ato në tokë në distancë 2-3 metra nga njëra tjetra. Pastaj përdor gurë ose rërë për t’i përforcuar. Mbi to hedh një pëlhurë, që krijon një lloj sere. Me mbërritjen e dimrit, këtë serë duhet ta mbulosh me një shtresë plastike për të mbrojtur bimët nga të ftohtit.

E shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 20 hektarësh në parkun e luleve të New York-ut, ferma e distriktit Queens kultivon për një kohë më të gjatë se kudo tjetër.

Zonja Kay thotë se një formë e lehtë është Korniza e ftohtë.

"Korniza e ftohtë është shumë e thjeshtë. Një kuti, për shembull prej xhami, me kapak që lejon depërtimin e dritës së diellit", thotë zonja Kay.

Vasrësisht nga hapësira, zonja Kay mendon se kjo metodë është ideale për t’u përdorur në apartamente.

Kultivueset si Riley dhe Kay thonë se ka shumë rëndësi që të dihet se cilat bimë kultivohen më mirë në zonën ku banon. Ndoshta nuk mund të kultivosh pjepër, karpuz ose domate, por mund të kultivosh bimë si spinaqi dhe lakra dhe të bësh një sallatë të frekët në mes të dimrit të New Yorkut.

XS
SM
MD
LG