Lidhje

Dy Koretë më pranë dialogut


Pas diskutimeve maratonë, Koreja e Jugut ka pranuar një kërkesë të Phenianit që dialogu që do të zhvillohet këtë javë në Seul, të mos cilësohet si bisedime në nivel ministror siç kishte njoftuar më parë Seuli.

Për herë të parë në disa vjet, zyrtarët e dy qeverive rivale u ulën përballë njëri-tjetrit në fshatin Panmunjom. Bisedimet e tyre 18 orëshe vazhduan për një pjesë të mirë gjatë ditës së djeshme dhe deri në orët e para të ditës së sotme.

Pas përfundimit të bisedimeve maratonë, zëdhënësi i Ministrisë për Bashkimin e Koresë Kim Hyung-suk lexoi një deklaratë të shkurtër por nuk pranoi pyetje nga gazetarët:

Zoti Kim tha se të dyja palët kanë rënë dakord ta cilësojnë takimin e ardhshëm si “bisedime ndër-qeveritare” për diskutimin e çështjeve që duhet të zgjidhen sa më parë që të jetë e mundur, si dy sipërmarrjet e pezulluara në Veri: Kompleksi Industrial Kaesong dhe kompleksi turistik Mt. Keumgang.

Zoti Kim tha se pjesëmarrësit në bisedime ranë gjithashtu dakord të diskutojnë rifillimin e takimeve mes familjeve të ndara nga kufiri korean.

Zëdhënësi shtoi se dy palët po ashtu miratuan idenë e delegacioneve me pesë përfaqësues. Shefi i delegacionit të Koresë së Jugut do të jetë Ministri i Ribashkimit.

Agjencia zyrtare e Koresë së Veriut tha më pas se delegacioni i Veriut komunist do të kryesohej nga “autoritete të nivelit ministror”.

Nuk ka pasur dialog në nivel ministror mes dy vendeve që nga viti 2007.

Pas raundit fillestar të bisedimeve dje në mëngjes, zyrtarët e Ministrisë së Ribashkimit në Seul njoftuan se Koreja e Veriut kishte rënë dakord për bisedime në nivel ministror.

Javën e kaluar Veriut komunist bëri thirrje për rifillimin e dialogut pas një retorike të zgjatur kërcënuese dhe provokative dhe provave bërthamore dhe me raketa që shkallëzuan tensionet në nivelet më të larta në disa dekada. Pheniani shprehu revoltim për manovrat ushtarake mes forcave amerikane dhe atyre të Koresë së Jugut që këtë vit përfshinin edhe fluturime të avionëve bombardues amerikanë që kanë aftësinë të bartin armë bërthamore.

Diskutimet e drejtpërdrejta shënojnë një rikthim të rëndësishëm për Veriun komunist, i cili është ndëshkuar me sanksione ndërkombëtare për raketat balistike dhe programin e armëve bërthamore.

Gjendja e luftës në Gadishullin Korean është praktikisht në fuqi që nga viti 1953 kur konflikti shkatërrimtar u mbyll me një armëpushim, por pa traktat paqeje.
XS
SM
MD
LG