Lidhje

Pheniani kërcënon me ekzekutim ish-presidenten korano-jugore


Koreja e Veriut kërcënoi se do të ekzekutojë ish presidenten e Koresë së Jugut Park Geun-hye dhe shefin e zbulimit kur ajo ishte në detyrë, të cilët i akuzon për komplot me qëllim vrasjen e udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un-it.

Agjencia zyrtare e lajmeve (KCNA) njoftoi se Koreja e Veriut do të shpallë "dënimin me vdekje mbi tradhëtaren Park Geun-hye" dhe ish shefin e zbulimit Lee Byung-Ho. Në njoftim thuhet se Koreja e Veriut do ta "shpallë dënimin, pa njoftim paraprak".

Ndërkohë sipas agjensisë së lajmeve Reuters, agjensia e zbulimit e Koresë së Jugut deklaroi se është "e pafalshme" për Veriun të kërcënojë qytetarët në Jug.

Zonja Park u shkarkua nga detyra në muajin mars dhe u arrestua në kuadër të një skandali për korrupsion.

Agjencia e lajmeve KCNA njoftoi se të dhëna të reja tregojnë se Koreja e Jugut kishte planifikuar një sulm ndaj "udhëheqësit të tyre suprem" në vitin 2015. Koreja e Veriut u ka kërkuar autoriteteve të Jugut dorëzimin e ish presidentes Park dhe ish shefit të zbulimit Lee.

Ndërkohë këtë javë një gazetë japoneze njoftoi se në vitin 2015 zonja Park kishte miratuar një plan për larguimin e Kim Jong Un-it.

Në muajin maj, Koreja e Veriut akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut për një përpjekje të dështuar për vrasjen e udhëheqësit të tyre me armë biokimike.

Propaganda e Koresë së Veriut shpesh përmban pretendime të ashpra, përfshirë ato për synime për eliminimin e qeverisë së Koresë së Jugut. Kjo retorikë është rritur nën drejtimin e Kim Jong Un-it.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG