Lidhje

Korrupsioni në pikturat e një artisti kinez


Zhang Bingjian ka reklamuar mijëra portrete të zyrtarëve të korruptuar në një holl turpi për të shtuar vetëdijen e publikut rreth këtij problemi

Një artist kinez ka krijuar një numër pikturash lidhur me problemin e madh të korrupsionit në vendin e tij, për të tërhequr vemendjen tek krijimet e tij artistike. Zhang Bingjian ka reklamuar mijëra portrete të zyrtarëve të korruptuar në një “holl turpi” me synimin për të shtuar vetëdijen e publikut rreth këtij problemi.

Portretet e zyrtarëve kinezë janë vendosur në këtë mur, projekt ky zyrtarisht i njohur si "holli i famës".

Por në realitet, këto portrete në ngjyrë trëndafili, ngjyra e monedhës kineze prej 100 huanësh, përbëjnë hollin e turpit.



Në studion e tij në Pekin, artisti Zhang Bingjian ka 600 portrete të zyrtarëve të korruptuar kinezë.

"Holli i famës" i artistit Zhang është i bazuar në konceptin e Hollit të Famës të legjendave të basketbollit në Shtetet e Bashkuara.

Ndryshimi qëndron në faktin se zoti Zhang reklamon portrete të zyrtarëve të korruptuar kinezë.

"Këta zyrtarë të korruptuar janë zyrtarë qeveritarë dhe ata vjedhin paratë e taksapaguesve. Ata janë karakteret kryesore “hollit të famës”. Pavarësisht se sa para vjedhin, 10 milion huan është njësoj si 10 huan, përderisa ata vjedhin paratë e taksapaguesve dhe janë zyrtarë qeveritarë, unë i përfshij ata në murin tim të “hollit të famës’".

Këto portrete pikturohen nga një ekip artistësh në fshatin Dafen të provincës jugore Shenzhen. Fshati është i njohur për prodhimin në masë të kopjeve të pikturave të famshme të autorëve perëndimorë.

Zoti Zhang dhe ekipi i tij grumbullojnë fotografi të zyrtarëve kinezë, të dënuar për korrupsion, dhe ua dërgojnë ato artistëve në Shenzhen, të cilët pikturojnë portretet.

Zoti Zhang ka marrë në punë 20 artistë dhe ka krijuar një linjë të prodhimit në masë të portreteve, duke përdorur bojë të lirë.

Frymëzimi i Zhangut për këtë projekt e ka burimin tek rrënjët e thella të korrupsionit në Kinë dhe si rezultat ai mendoi se do të ishte e rëndësishme që këto raste korrupsioni të regjistroheshin si vepra arti.

"Nëse në të ardhmen ne i hedhim një vështrim të kaluarës, ne do të shikojmë se Kina ka kaluar nëpër një periudhë problemesh sociale, çdo vit janë gjetur fajtorë më shumë se 10 mijë zyrtarë të korruptuar. Mendoj se kjo është e rëndësishme që të dokumentohet dhe dëshmohet me vepra arti".

Sipas statistikave zyrtare, në vitin 2010 u hetuan 3,603 zyrtarë kinezë për shpërdorim të fondeve publike. Besohet se numri i vërtetë i zyrtarëve të korruptuar është shumë më i lartë.

Një raport zyrtar i Bankës së Popullit të Kinës, i publikuar në internet vitin e kaluar përllogariste se që nga mesi i viteve 90-të rreth 125 miliardë dollarë ishin nxjerrë nga Kina nga të paktën 16 mijë zyrtarë, të cilët tani janë larguar nga vendi.

Zyrtarët e lartë kinezë janë zotuar vazhdimisht të luftojnë korrupsionin dhe të dënojnë zyrtarët e korruptuar.

"Ne do të zbatojnë me rigorozitet të gjitha rregulloret, që u kërkojnë zyrtarëve të lartë të ruajnë integritetin e detyrave të tyre zyrtare," - tha kryeministri kinez Wen Jiabao në kongresin vjetor të Partisë së Popullit më mars të këtij viti.

Megjithëse numri zyrtar i rasteve të korrupsionit ka rënë gjatë viteve të fundit, Kina mbetet një prej shumë vendeve me korrupsion të lartë.

Transparency International thotë se Kina zë vendin e 78-të mes 178 vendeve në indeksion e këtij grupi kundër korrupsionit, më keq se sa vende si Rumania dhe Ruanda.

Projekti i Zhang Bingjian vazhdon dhe dhjetra portrete të reja të zyrtarëve të korruptuar shtohen në studion e tij çdo tre muaj.

"Nuk mendoj se korrupsioni në Kinë do të zhduket plotësisht, por mua mund të më duhet të pikturoj më pak portrete të zyrtarëve të korruptuar në të ardhmen, ndoshta 5 ose 10 ose edhe vetëm një ose dy, ku ta dish?" thotë piktori.

Për momentin "holli i famës" duket se është një projekt që nuk i duket fundi në horizont.
XS
SM
MD
LG