Lidhje

Prishtina kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës


Në Kosovë udhëheqës institucionesh e partish politike, hodhën poshtë çdo mundësi të ndarjes së Kosovës, një ide e ritheksuar ditëve të fundit nga Beogradi.

Komentet e tyre u bënë pas takimeve me udhëheqësit e tri komunave me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, të cilët kërkojnë që çështja e tyre të shtrohet në bisedimet me Serbinë, bashkë me kërkesat për autonomi të atij rajoni me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Prishtina kundër ndarjes së Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:56 0:00

Udhëheqësit politik të tri komunave me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, kërkuan sot nga Prishtina që të shtrojë në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë edhe çështjen e atij rajoni.

Pas një takimi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, udhëheqësit e Luginës së Preshevës thanë se tash është koha për të zgjidhur problemet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dhe kjo duhet të çojë në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe në të njëjtën kohë edhe përmbushjen e aspiratave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës...

"Në këtë fushë pa dyshim se ne jemi të zotuar që të respektojmë vullnetin politik të shqiptarëve të komunave, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, të shprehur në referendumin e 22 marsit të vitit ’92 ku shumë qartë shqiptarët kanë deklaruar se jemi për një autonomi politike, territoriale me të drejtë bashkëngjitje Kosovës”, tha Ragmi Mustafa, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare.

Në këtë fazë ku tentohet të përmbyllet dialogu me Serbinë por edhe të gjendet një zgjidhje e një stabiliteti afatgjatë për Ballkanin Perëndimor, Lugina e Preshevës nuk mund të mbetet anash”, tha Shaip Kamberi, kryetar i komunës së Bujanocit.

Ne nuk flasim për shkëmbim territoresh, ne nuk flasim për pazare, ne flasim për qëndrimin e qytetarëve të Luginës së Preshevës që në këtë konstrukt dhe në këtë sistem ashtu ku jemi duke jetuar nuk ka perspektivë, nuk jepet perspektivë ekonomike për të rinjtë sidomos dhe të qëndrojmë aty me të drejta tona të plota”, tha Shqiprim Arifi, kryetar i komunës së Preshevës.

Kosova respekton tërësinë territoriale të shteteve fqinje, në këtë rast edhe atë të Serbisë mirëpo nuk mund t’i mbyllë sytë përgjithmonë para padrejtësive dhe përbuzjes që iu bëhet shqiptarëve të Luginës së Preshevës", tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti Thaçi u zotua se do të shtrojë kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në procesin e bisedimeve me Serbinë..

"Se a do të mund të realizohet objektiva dhe e drejta e aspiratave të qytetarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, dhe liderëve të tyre, e them me përgjegjësi të lartë se do të jetë shumë vështirë, pothuajse e pamundur”, tha presidenti Thaçi.

Muaji shtator shihet si periudhë e takimeve të reja në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të asaj është quajtur faza përfundimtare e bisedimeve. Beogradi tashmë e ka hedhur idenë e ndarjes së Kosovës si zgjidhje e cila edhe sot është hedhur poshtë nga Prishtina zyrtare.

Në një tryezë diskutimesh me udhëheqësit e Luginës së Preshevës, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se idetë që po hidhen për shkëmbim të territoreve apo korrigjim të kufijve, janë mashtrime të reja.

Arsyeja pse mendojmë se bëhet fjalë për mashtrim të ri është se ideja për shkëmbim territoresh apo korrigjim të kufijve më shumë është në funksion të një lloj krijimi të atmosferës, ku një status special për veriun e Kosovës bëhet më i kollajshëm në emër të një premtimi për kompensim në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, i cili nuk do të ndodhë”, tha zoti Kurti.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje dhe çfarë janë mundësitë për arritjen e shpejtë të saj. Edhe në Beograd edhe në Prishtinë, bartësit e këtyre bisedimeve thonë se kanë pak shpresë për të.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG