Lidhje

Kosova dhe Serbia fillojnë zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë


Kosova dhe Serbia fillojnë zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë
Kosova dhe Serbia fillojnë zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë

Kosova dhe Serbia filluan sot zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve. Autoritetet thanë se fillimi i këtij procesi është përshkuar me pakënaqësitë e qytetarëve me çmimet e sigurimeve kufitare. Ndërkaq, zbatimi i marrëveshjes që është arritur më dy korrik, nuk ka filluar ende në vendkalimet kufitare në veri të Kosovës për shkak të barrikadave të ngritura nga serbët lokal që kundërshtojnë shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në atë zonë.

Që nga mesnata në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka filluar zbatimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve. Qytetarët e të dyja shteteve mund të udhëtojnë me letërnjoftime, por, qytetarët e Kosovës në kufi pajisen me një leje të posaçme nga autoritetet serbe që nuk i njohin shenjat e Republikës së Kosovës të cilën vazhdojnë ta kundërshtojnë. Njësoj veprohet edhe me ato makina që kanë targat me shenjën e Republikës së Kosovës.

Fillimi i zbatimit të marrëveshjes po përcillet me pakënaqësi të qytetarëve të cilët janë të detyruar të paguajnë polica sigurimi çmimi i të cilave sillet nga 60 deri në 100 euro. Përfaqësues të serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve në luginën e Preshevës thanë se këto çmime që përshijnë periudha 15 ditëshe janë të papërballueshme. Çështja e këtyre çmimeve pritet të diskutohet në raundet e radhës të bisedimeve ndërmjet të dyja palëve të paralajmëruara për të vazhduar në janar të vitit që po vjen. Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë – Serbi Robert Cooper citohet të ketë thënë se “lëvizja e lirë është parimi themelor i Bashkimit Evropian, kështu që hapat në drejtim të lëvizjes së lirë e bëjnë Ballkanin si një tërësi në zonën evropiane. Nga kjo do të përfitojnë të gjithë ata që e shohin të ardhmen ne Bashkimin Evropian”.

Marrëveshja nuk ka filluar të zbatohet në vendkalimet kufitare në veriun e Kosovës ku edhe më tej rrugët mbahen të bllokuara nga serbët lokal që kundërshtojnë shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në atë zonë. Përfaqësuesit e tyre e kanë cilësuar të papranueshme marrëveshjen ndërsa kanë paralajmëruar se në shkurt të vitit që po vjen mund të organizojnë një referendum me të cilin qytetarët serb në atë zonë do të deklarohen nëse duan apo jo të pranojnë institucionet e Kosovës.

Marrëveshja për lëvizjen e lirë ishte rrjedhojë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ndonëse kjo marrëveshje qe arritur që më 2 korrik, vendimi për zbatimin e saj u mor në fillim të dhjetorit kur të dyja palët arritën marrëveshjen për menaxhimin e përbashkët të kufirit, që ishte rezultat i trysnisë që ushtrohej mbi Beogradin në përpjekjet e tij për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, situata në veriun e Kosovës ku përfaqësuesit radikalë të komunitetit serb bllokuan rrugët dhe u përleshën me forcat paqeruajtëse të NATO-s, duket se ishte vendimtare për shtyrjen e vendimit të Bashkimit Evropian për t’i dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat. Më e prera në qëndrimin e saj ishte kancelarja gjermane Angela Merkel e cila tha se Serbia nuk i ka përmbushur kushtet për afrimin e saj me strukturat e Bashkimit Evropian, ndërsa ka krijuar një mjedis për dhunë në veriun e Kosovës. Ajo tërhoqi vërejtjen se rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian mund të realizohet vetëm nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Muaji shkurt i vitit që po vjen është paralajmëruar si periudhë e shqyrtimit të sërishëm të qasjes së Serbisë ndaj Kosovës dhe shkallës së përmbushjes së kritereve për afrim me strukturat e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG