Një anketim i kohëve të fundit në Kosovë tregon se rreth 70 për qind e qytetarëve e shohin ekstremizmin e dhunshëm si sfidën më të madhe për sigurinë kombëtare. Megjithatë, në anketimin e kryer nga Qendra për Studime të Sigurisë një shumicë qytetarësh kanë besim në riintegrimin e luftëtarëve të huaj. Drejtuesit e kësaj qendre thanë se Kosova ka nevojë për një bashkërendim më të ngushtë mes institucioneve në mënyrë që të rinjtë të mos përfshihen në ekstremizëm.
Një raport i Qendrës për Studime të Sigurisë në Kosovë, vë në pah se 70 për qind e qytetarëve e shohin ekstremizmin e dhunshëm si sfidën më të madhe për sigurinë kombëtare. Por, po ashtu një shumicë e qytetarëve beson së të kthyerit nga luftërat e huaja duhet t’u nënshtrohen programeve të rehabilitimit dhe riintegrimit.
Këto të dhëna u bënë të ditura gjatë publikimit të një raporti mbi gjendjen aktuale të përfshirjes së institucioneve dhe komunitetit në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Skënder Perteshi, nga kjo qendër tha se rreziqet nga ekstremizmi i dhunshëm shtohen në një shoqëri ku të rinjtë janë të papunë dhe pa mundësi të zhvillimit.
“Shkalla më e lartë e papunësisë është te të rinjtë, po ashtu edhe mosha mesatare e qytetarëve tanë që iu kanë bashku këtij konflikti është më e reja në Evropë, është diku mes 24-26 afërsisht, mund të jetë më shumë më pak por këtu sillet. Pikërisht një mundësi shumë më e mirë për punësim për të rinjtë një mundësi shumë ma e mirë për të ardhme për të rinjtë, ndikon direkt në reduktimin e hapësirës së organizatave të ndryshme për me rekrutuar ose përfituar mendje të qytetarëve tonë për ekstremizëm të dhunshëm", tha Perteshi.
Sipas raportit 54 për qind e qytetarëve besojnë së të kthyerit nga lufta duhet t’u nënshtrohen programeve të riintegrimit, 24 për qind mendojnë se ata duhet të arrestohen menjëherë . Nga qytetarët e anketuar rreth 60 për qind mendojnë se të kthyerit duhet të ri pranohen në komunitet, por me mbikëqyrje nga shteti.
Drejtori ekzekutiv i kësaj qendre, Florian Qehaja, tha të hënën se Kosova ka një kuadër të mirë të ligjeve dhe politikave për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, por problemet shfaqen në zbatimin e tyre. Duke paraqitur një pjesë të raportit që mbështetet mbi siç thuhet mësimet e nxjerra nga tri komuna të Kosovës, Mitrovicë, Kaçanik dhe Hani i Elezit, ai tha se Kosova ka nevojë për një bashkërendim më të ngushtë me përfshirje të shoqërisë civile dhe të mos nënvlerësohet roli i Bashkësisë Islame.
“Tutje mungesa e mundësive dhe niveli i lartë i papunësisë në tre komunat e përzgjedhura kanë krijuar një konsekuencë të pamenduar ku të rinjtë janë rekrutuar në ideologji ekstreme dhe përfshirje në konflikte të huaja në Siri dhe Irak. Sistemi i dobët i arsimit, një e gjetur që e kemi edhe nga raporti i vitit 2015 si dhe mungesa e aktiviteteve ekstra kurrikulare ka krijuar mundësinë ideale që rekrutuesit të arrijnë agjendat e tyre”, tha Qehaja.
Zoti Qehaja vuri theksin edhe tek problemet me regjimin e vizave të cilat kanë që një pjesë e të rinjve të udhëtojnë atje ku është e mundur pa viza duke përfunduar në shkolla konservatore fetare në Lindjen e Mesme.
Raporti vë në pah se 44 për qind e të anketuarve kanë ndjenja të njëjta ndaj përkatësisë së tyre kombëtare dhe fetare, ndërsa 22 për qind vënë përpara përkatësinë e tyre fetare.
Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme dhe rreth 60 veta kanë humbur jetën. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.