Në Kosovë është duke u nënshkruar një peticion, nëpërmjet të cilit do të kërkohet zhbërja e vendimit për rritjen e çmimit e energjisë elektrike. Me këtë peticion të organizuar nga rreth 70 organizata të shoqërisë civile dhe sindikale, kërkohet ndërhyrja e institucioneve për të anuluar vendimin, që sipas tyre do të ndikojë në gjendjen tashmë të rëndë të popullsisë. Gjatë tre muajve të fundit, çmimi i energjisë elektrike është rritur me rreth 10 për qind, për shkak të, siç është thënë, mungesës së energjisë elektrike në vend dhe rritjes së importit të saj nga vendet fqinje.