Lidhje

Qeveria në largim e Kosovës vendos rritje pagash në sektorin publik


Qeveria në largim e Kosovës vendos rritje pagash në sektorin publik
Qeveria në largim e Kosovës vendos rritje pagash në sektorin publik

Në Kosovë, qeveria në largim morri sot vendim për ngritje pagash për kategoritë që paguhen nga buxheti i vendit. Rritja e pagave sillet nga 30 deri në 50 për qind dhe përfshinë disa kategori si mësuesit, policinë, zjarrfikësit, punonjësit e doganave si dhe familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës. Në kronikën e tij Leonat Shehu thotë se partitë politike e cilësuan vendimin si të paligjshëm, ndërsa ekonomistët shprehen të shqetësuar për mundësitë e zbatimit të tij. Por, kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi thotë së vendimi është tërësisht ligjor.

“Të rriten pagat për të gjithë mësimdhënësit parauniversitarë për 50 për qind mbi pagën bazë”, tha kryeministri Thaçi.

Kësisoj, një pas një, qeveria e Kosovës miratoi vendimet e kryeministrit në dorëheqje Hashim Thaçi për rritjen e pagave nga një janari, për 50 për qind për mësimdhënësit parauniversitarë dhe familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës, për rritje prej 40 për qind për policinë e Kosovës dhe një rritje përtej 30 për qind për shërbyesit civilë, zyrtarët doganorë, punëtorët shëndetësorë dhe zjarrfikësit. Kryeministri Thaçi u zotua për ngritje pagash edhe për minatorët, rritjen e pensioneve si dhe të pagave të punonjësve të sistemit të drejtësisë.

Por, vendimet e tilla kanë shtuar shqetësimet e ekonomistëve për rrugën e sigurimit të parave. Profesor Musa Limani, ekspert i çështjeve të ekonomisë thotë se fakti që ende nuk është miratuar buxheti për vitin 2011 e bënë të vështirë realizimin e këtyre vendimeve. Profesor Limani thotë se rritja e pagave duhet të behet në bazë të rritjes së prodhimit.

“Prandaj, duke u bazuar në rrjedhat ekonomike të vitit të kaluar mund të them se këtë vit rrjedhat ekonomike të Kosovës nuk do të jenë të favorshme që të ndikojnë në ngritjen e pagave në një anë, në anën tjetër pagat nuk mund të rriten në mënyrë parciale ashtu siç premton zoti kryeministër në dorëheqje rritjen e pagave të arsimit, shëndetësisë, policisë në mënyrë parciale, prandaj pagat duhet të shqyrtohen në mënyrë komplekse, duhet të bëhet nivelizimi i pagave, të caktohet paga minimale”, tha zoti Limani.

Por, kryeministri Thaçi thotë se janë gjetur rrugët për sigurimin e parave.

“E theksoj se ne do ta rrisim disiplinën financiare, do të rrisim maksimalisht kursimet, do të bëjmë rritjen e inkasimeve dhe këtu kërkohet një angazhim shumë ma dinamik i Agjencisë së Tatimit të Kosovës dhe Doganave por edhe e policisë, do të ulet maksimalisht informaliteti si dhe do të bëjmë rregullimin e strukturës buxhetore”, tha Kryeministri Thaçi.

“Pa zhvillimin ekonomik atëherë do të del konstatimi se duhet të ngarkohen me taksa tatimpaguesit, qoftë biznesi kosovar ose popullata, e një gjë e tillë reflekton në uljen e standardit që do të thotë se do të kemi probleme me të vërtet sociale. Do të ulet standardi, do të rritet varfëria dhe do të thellohet kriza ekonomike. Kështu që një gjë e tillë nga aspekti profesional ekonomik është e papranueshme”, thotë eksperti i çështjeve ekonomike, Musa Limani.

Vendimi për rritje pagash ndodhë në kohën kur qeveria është në dorëheqje dhe kur është hapur fushata për zgjedhjet e pjesshme të 9 janarit, prandaj ai është kritikuar nga një pjesë e subjekteve politike që e cilësojnë këtë si vendim të paligjshëm. Por kryeministri Thaçi mendon ndryshe.

“Gjithçka është në suaza të Kushtetutës, ligjeve të Kosovës, mjetet janë të siguruara, kostoja do të jetë mbi 100 milion euro në vi., Kështu që gjithçka është shumë e qartë dhe as një dilemë nuk ekziston, gjithçka është e pastër si loti dhe qartësia kur më e madhe nuk ka qenë. Këto janë vendime shtetërore dhe janë të padiskutueshme dhe vetëm janë të zbatueshme”, tha Kryeministri Thaçi.

Rritja e sotme e pagave është rritja më e madhe e përnjëhershme që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG