Lidhje

Kosova një ditë pas zgjedhjeve serbe


Qeveria e Kosovës vlerëson se është në të drejtën e qytetarëve serbë të vendosin nëse duan një pushtet properëndimorë apo jo, mirëpo cilado që të jetë zgjedhja e tyre nuk do të përcaktojë proceset integruese të Kosovës. Këto komente u bënë një ditë pas zgjedhjeve në Serbi të cilat u zhvilluan në një konkurrencë të ngushtë ndërmjet presidentit të deritashëm Boris Tadiç i cili shihet si drejtues i forcave properëndimore dhe kryetarit të Partisë Përparimtare serbe Tomislav Nikoliç, i njohur për qëndrimet e tij më radikale.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi tha se Kosova është e gatshme të rrugëtojë në integrime evropiane si shtet sovran bashkë më fqinjët e saj.

“Është zgjedhje e popullit serb kënd do që e përfaqësojnë ata, ne do të jemi të gatshëm që t'i kryejmë obligimet tona shtetërore përball kujt do që mund të jetë në Serbi, por politika, integrimi dhe rrugëtimi i Kosovës nuk varet nga pushtetet politike që kush i mban apo jo në Serbi. Kosova e ka rrugën e vet, por kushdo që është në Serbi që është i orientuar nga Perëndimi, bën mirë në radhë të parë popullit serb pastaj edhe tërë rajonit”, tha ai.

Zoti Kuçi, vlerësoi edhe qasjen e qytetarëve serbë gjatë zgjedhjeve të djeshme të parlamentare e presidenciale serbe, ndërsa i cilësoi të paligjshme zgjedhjet për pushtetin lokal në dy komuna të veriut të Kosovës. Këto vlerësime sipas ministrit të punëve të brendshme Bajram Rexhepi ishin edhe arsyeja që nuk u bënë përpjekje për parandalimin e tyre.

“Kemi vlerësuar se nuk ja vlen që të intervenohet sepse duhej të përdorej dhuna dhe do të prishte në përgjithësi një të drejtë demokratike të qytetarëve të Kosovës që ta shprehin vullnetin e tyre për votim në bazë të standardeve evropiane dhe legjislacionit tonë në fuqi që e kemi për dyshtetësi”, tha ministri Rexhepi.

Përfundim i votimeve u përshëndet edhe nga sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, Lamberto Zannier, organizata e të cilit drejtoi procesin e djeshëm të zgjedhjeve. Gjatë natës misioni në Kosovë i kësaj organizate ka dërguar kutitë e votimit për numërim në Serbi.

Ndërkaq, në Luginën e Preshevës, rezultatet paraprake flasin për fitore të partive politike shqiptare në zgjedhjet për pushtetin lokal, zgjedhje këto që u zhvilluan nën hijen e tensioneve të nxituara nga arrestimet e tetë shqiptarëve të premten e kaluar. Arrestimet nxitën reagime të përfaqësuesve të atjeshëm politike të cilët u bënë thirrje Prishtinës dhe Tiranës zyrtare për më shumë angazhim për mbrojtjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Zëvendëskryeministri Kuçi, tha se Prishtina po ndjek të gjitha rrugët e ligjshme për të mbështetur bashkëkombësit e saj në zonë.

“Ndikimi ynë është përmes faktorit ndërkombëtar, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jo me logjikën që e bën Serbia te serbët e Kosovës. Kosova është e interesuar për marrëdhënie të mira me fqinjët por jo në dëm të të drejtave të shqiptarëve që jetojnë atje, por gjithmonë problemin e shohim me faktorin ndërkombëtar që mund ta zgjidhim”, tha zëvendëskryeministri Kuçi.

Ende nuk është e qartë nëse shqiptarët në Luginën e Preshevës do të jenë të përfaqësuar në parlamentin e Serbisë apo jo.

XS
SM
MD
LG