Lidhje

Një muaj paraburgim për serbët e arrestuar në veri të Kosovës


Gjykata Themelore e Prishtinës u deklaroi masën e paraburgimit prej 30 ditësh tre personave të arrestuar një ditë më parë, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e politikanit lokal serb Oliver Ivanoviç.

Të dyshuarit u arrestuan të premten nga Policia e Kosovës në veriun e Mitrovicës, gjatë një aksioni në orët e hershme të mëngjesit.

Në një njoftim të gjykatës thuhet se “janë përmbushur kriteret dhe dyshimi i bazuar se të pandehurit N.S, M.R dhe D.M kanë kryer veprat penale në bazë të provave, po ashtu përmbushen edhe kushtet e veçanta për caktimin e masës së paraburgimit”.

Në njoftim thuhet se “gjykata po ashtu ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.S, M.R dhe D.M është masa e përshtatshme dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tyre në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës, duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilën janë kryer veprat penale dhe peshën e tyre. Nëse të pandehurit qëndrojnë në liri, do të mund të përsërisnin vepra të njëjta, apo të ngjashme penale”,- thuhet në njoftimin e gjykatës.

Ivanoviç Oliver
Ivanoviç Oliver

Udhëheqësi i nismës qytetare serbe, "Liri, Demokraci, Drejtësi", Oliver Ivanoviç, u vra me armë zjarri më 16 janar të këtij viti në veriun e Mitrovicës.

Të akuzuarit janë pjesëtarë të komunitetit serb dhe dy prej tyre janë pjesëtarë të policisë së Kosovës.

Prokuroria e Posaçme e Kosovës ka bërë të ditur se të akuzuarit dyshohen që kanë ndihmuar në vrasjen e Oliver Ivanoviç-it. Sipas prokurorisë, deri tani janë intervistuar rreth 40 dëshmitarë për vrasjen e zotit Ivanoviç.

Aksioni i policisë nxiti reagime të shumta në veriun e Kosovës dhe të autoriteteve në Serbi, në një periudhë tensionesh të larta politike pas vendimit të qeverisë së Kosovës për një taksë prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia, që nxiti reagimin e Beogradit, si dhe dhe të Bashkimit Evropian, që kërkoi heqjen e taksës.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për integrimet evropiane. Por, takimi i radhës ndërmjet presidentëve të të dyja vendeve mbetet i vështirë pas masave të fundit të vendosura nga qeveria e Kosovës dhe kërkesës së Serbisë që ato të hiqen, si kusht për të vazhduar bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG