Lidhje

Kosovë, studim për përfshirjen e grave në luftra

  • Leonat Shehu

Në Prishtinë, Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë ka publikuar një studim mbi përfshirjen e grave nga Kosova në luftërat në Siri e Irak, përkrah grupeve ekstremiste si Shteti Islamik.

Në studim thuhet se 44 gra nga Kosova deri tani kanë marrë pjesë në ato luftëra, duke bërë që Kosova të jetë vendi i dytë më shumë gra të përfshira nga Ballkani Perëndimor.

Raporti vë në pah se gratë e përfshira janë të moshave nga 18 deri 28 vjeç, ndërsa rekrutimi i tyre ka ndodhur në mënyrë vullnetare dhe me detyrim nga burrat.

Një studim i qendrës së Kosovës për studime të sigurisë, nxjerr në pah se 44 gra nga Kosova janë përfshirë në luftërat e Sirisë dhe Irakut, duke bërë që Kosova të jetë vendi i dytë me më së shumti gra të përfshira nga Ballkani Perëndimor, pas Bosnje e Hercegovinës. Raporti që mbështetet edhe në intervistat me gra të përfshira në këto luftëra, tregon se rekrutimi i tyre ka ndodhur në mënyrë vullnetare me motive dhe qëllime të ndryshme për ta bërë këtë, dhe në mënyrë të detyruar, pa vullnetin e tyre që të përfshihen në këto konflikte.

Hartuesja e këtij raporti, Rudinë Jakupi numëron disa nga faktorët që kanë nxitur përfshirjen vullnetare të grave me grupet ekstremiste në Siri dhe Irak.

“Faktori ideologjik, socio-ekonomik dhe motivet personale. Te faktorët soci-ekonomik sipas të intervistuarave bënë pjesë edhe ndjenja e të qenit e diskriminuar ndërsa tek faktori personal hyjnë identiteti dhe izolimi”, tha ajo.

Raporti nxjerrë në pah se sikurse burrat edhe gratë që u janë bashkuar grupeve ekstremiste, kanë përjashtuar kulturën perëndimore të të jetuarit dhe kanë përqafuar një ideologji tërësisht të re për to.

“Gratë nga Kosova njëjtë sikurse disa nga burrat që u janë bashkuar luftërave në Siri dhe Irak janë thellësisht të bindura që ky ka qenë vendimi i duhur për to si myslimane ose si persona praktikues të fesë islame dhe për këtë arsye ato e shohin si vendim të duhur dhe që do t’iu shpërblehet në botën e mëtutjeshme”, tha zonja Jakupi.

Sipas raportit, gratë nga Kosova që u janë bashkuar grupeve ekstremiste kanë qenë nga mosha 18 deri në 28 vjeçe dhe se shumica prej tyre kanë të përfunduar së paku shkollën e mesme. Vesë Kelmendi autore e raportit thotë se rekrutimi i grave nga Kosova për në grupet ekstremiste dallon nga ai në vendet perëndimore.

“Në shtetet si Anglia, Franca dhe Belgjika rekrutimi më shumë ndodh nëpërmjet internetit dhe revistave që i bënë ISIS ku bëhet propaganda për gratë se si duhet të martohen dhe bëhet thirrje për martesë në të ashtuquajturin Shteti Islamik ndërsa në rastin e Kosovës ne kemi vërejtur se rekrutimi bëhet direkt nga burrat e tyre. Kjo ndodh se këto gra nuk janë të punësuara dhe kanë të përfunduara vetëm vitin e parë të fakultetit dhe në anën tjetër njohuritë bazike për këto fenomene dhe çështjet që lidhen me fenë i marrin direkt nga burrat e tyre”, tha zonja Kelmendi.

Në raport thuhet se gratë e përfshira në grupet ekstremiste si grupi militant Shteti islamik, nuk kanë marrë pjesë në luftë, por përgjithësisht janë marrë me punët e shtëpisë dhe kujdesin ndaj burrave të tyre. Po ashtu raporti vë në pah se aktualisht në Siri dhe Irak ndodhen edhe 27 fëmijë nga Kosova të cilët sipas raportit janë̈ viktima të etërve apo nënave të tyre që marrin pjesë në konfliktin në Siri dhe Irak.

Raporti u bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të përqendrohen në procesin e deradikalizimit për gratë e përfshira në grupet ekstremiste, pasi që një pjesë e tyre ende mbështesin ideologjitë e skajshme dhe nuk besojnë në sistemin aktual të Kosovës.

Që nga viti 2012 rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Shifrat e përafërta zyrtare flasin se në Lindjen e mesme edhe më tej ndodhen 140 veta nga Kosova nga të cilët 75 luftëtarë dhe të tjerët gra e fëmijë. Dy vjet më parë policia filloi hetimet kundër 237 vetave për pjesëmarrje në luftë, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve të huaj dhe mbi 127 veta janë arrestuar. Sipas autoriteteve, 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe deri tash rreth 40 janë dënuar nga gjykatat.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG