Lidhje

Kosova përgëzon SHBA për zgjedhjen e Presidentit


Udhëheqës të institucioneve dhe partive politike në Kosovë përgëzuan presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Në një njoftim të zyrës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ai citohet të ketë thënë se “duke qenë i vetëdijshëm për rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në arenën ndërkombëtare, është i bindur se presidenti i zgjedhur, me përgjegjësinë më të lartë do të trajtojë sfidat e shumta në nivel global. Miqësia e përhershme ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë është bazamenti mbi të cilin do ta vazhdojmë thellimin e bashkëpunimit dypalësh”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Përgëzimeve u janë bashkuar edhe partitë politike në Kosovë, të cilat kanë shprehur bindjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën drejtimin e zotit Trump, do të vazhdojnë të jenë partner strategjik i Kosovës dhe i Ballkanit, në rrugëtimin drejt demokracisë perëndimore.

Udhëheqësit në Kosovë kanë shprehur mirënjohje edhe ndaj sekretares Clinton, për siç thuhet mbështetjen e saj të vazhdueshme për popullin dhe shtetin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG