Lidhje

Kuper në Prishtinë, përpjekje për rifillimin e bisedimeve Kosovë – Serbi


Kuper në Prishtinë, përpjekje për rifillimin e bisedimeve Kosovë – Serbi
Kuper në Prishtinë, përpjekje për rifillimin e bisedimeve Kosovë – Serbi

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë, Robert Kuper, po qëndron sot në Prishtinë në kuadër të përpjekjeve për rifillimin e bisedimeve të ndërprera për çështjet e interesit të përbashkët të të dyja palëve. Të premten ai qëndroi në Beograd ku nuk arriti të siguroi pajtimin e zyrtarëve serb për vazhdimin e këtyre bisedimeve. Beogradi kërkon që të bisedohet për gjendjen në veriun e Kosovës përkatësisht për vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë, në veriun e banuar me shumicë serbe.

Shefi i delegacionit serb në bisedime Borislav Stefanovic, u ka deklaruar mjeteve serbe të informimit se nuk mund të bisedohet për çështje teknike derisa është e hapur çështja e këtyre vendkalimeve.

Ndërsa autoritetet në Kosovë thonë se qëndrimi i tyre është i qartë se nuk mund të bisedohet për këto çështje me Serbinë, meqë vendkalimet kufitare janë çështje e brendshme e Kosovës.

Gjendja në veriun e banuar me shumicë serbe vazhdon të jetë e tensionuar ndërsa serbët lokal po mbajnë të mbyllura të gjitha rrugët e zonës në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së policisë kufitare dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë. Të paktën 11 veta u plagosën më 27 shtator gjatë një përleshjeje ndërmjet forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe protestuesve serbë. Beogradi kritikoi praninë ndërkombëtarë për nxitje të dhunës, ndërsa kërkoi nga Kombet e Bashkuara sqarimin e incidenteve. Por, NATO-ja tha se ushtarët e saj u detyruan të përdorin forcën në vetëmbrojtje nga sulmet e protestuesve që hodhën mjete shpërthyese ndaj trupave të KFOR-it.

Kjo situatë bëri që Beogradi të mos i vazhdoj bisedimet të parapara për 28 shtator ndërsa edhe raundi i radhës që do të duhej të mbahej më 14 tetor është vënë në pikëpyetje.

Beogradi kërkon bisedime politike ndërsa gjithnjë e më shpesh po kërkohet hapur edhe ndarja tokësore veriut të Kosovës, një kërkesë kjo e cila është cilësuar e pamundur nga Prishtina zyrtare dhe komuniteti ndërkombëtarë.

XS
SM
MD
LG