Lidhje

Drews: Barrikada mbi Ibër – simbol rezistence


Erhard Drews
Erhard Drews

Komandanti i KFOR-it tha se barrikada mbi lumin Ibër në Mitrovicë flet për nevojën e një procesi politik për zgjidhjen e problemeve në zonë

Komandanti i forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, gjenerali Erhard Drews, tha sot se situata aktuale është më e mirë nga një vit me parë, por sfidat janë ende të mëdha dhe përballja me to varet nga proceset politike.

Ai i bëri këto komente në një takim me gazetarë në prag të përfundimit të mandatit të tij njëvjeçar në krye të forcave të NATO-s, gjatë të cilit veriu ishte sfida kryesore e tij.

Ai tha se një vit më parë vendkalimet kufitare ishin zona te kufizuara ushtarake, pa polici e dogana dhe rrugët ishin të barrikaduara. Sot vendkalimet janë të lira dhe ekziston vetëm një barrikade në urën kryesore mbi lumin Ibër.



Ky simbol i rezistencës është përkujtues se procesi politik duhet të ecë përpara”, tha ai, duke nënvizuar se ushtarët e tij e kanë kryer punën e tyre duke krijuar hapësirë që të tjerët t’i përkushtohen përparimit politik.

Ai tha se rezistenca në veri nxitet nga disa përfaqësues politik radikal, që duan të mbajnë situatën aktuale në atë zonë si dhe grupe kriminale që duan të ruajnë bizneset e tyre të mbështetura në kontrabandë dhe trafiqe. Ai shprehu bindjen se këto grupe po e humbin mbështetjen e popullsisë në veri.

Gjenerali Drews, tha se ka ende shumë sfida të cilat nuk varen nga veprimet e KFOR-it, i cili siç tha ai, ka bërë përpjekje që të shmangë çdo mundësi që gjatë sfidave në veri të ketë viktima qoftë nga banorët apo ushtarët e tij..

Synimi im ishte gjithmonë jo vetëm për të dëshmuar mundësitë dhe vendosmërinë tonë, por për të dëshmuar se KFOR-i nuk është armatë pushtuese, nuk është në luftë, por është një forcë paqeruajtëse me mandat të qartë për tw ruajtur një mjedis të qetë e të sigurt dhe vendosjen e lirisë së lëvizjes për të gjithë”, tha ai.

Gjenerali Drews do të përmbyllë mandatin e tij me shtatë shtator, kur pritet të zëvendësohet nga bashkëkombësi i tij gjenerali Folker Halbauer.

Aktualisht rreth 6 mijë trupa të NATO-së shërbejnë në Kosovë, ndërsa planet për shkurtime të mëtejmë do të varen nga zhvillimet në terren.
XS
SM
MD
LG