Lidhje

Kosovë, komision për të drejtën dhe pajtimin

  • Leonat Shehu

Në Kosovë, pjesmarrësit në një konferencë thanë se pranimi i krimeve dhe i së vërtetës rreth tyre është me rëndësi thelbësore për drejtësinë dhe të ardhmen e bashkëjetesës së komuniteteve. Komentet u bënë gjatë diskutimeve për themelimin e një Komisioni për të Drejtën dhe Pajtimin, me të cilën synohet të nxitet vënia në vend e drejtësisë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

​Udhëheqës të institucioneve vendase e ndërkombëtare thanë sot se pranimi i krimeve dhe të së vërtetës mbi ta është thelbësor për drejtësinë dhe të ardhmen e bashkëjetesës në Kosovë.

Këto thirrje u bënë gjatë fillimit të diskutime për themelimin e një Komisioni për të Drejtën dhe Pajtimin, me të cilën synohet që të krijohet një mekanizëm mbështetës për dialogun e brendshëm mes komuniteteve për të ndëshkuar krimet e kryera gjatë luftës së fundit dhe arritjen e pajtimit në Kosovë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se e vërteta pastron dhe çliron njerëzit dhe çon drejt pajtimit në mes të kombeve e shteteve.

“Qëllimi është nisja e një jete të re për të gjithë qytetarët, duke falur, por duke mos harruar, duke pranuar dhe njohur krimet, duke shprehur dhe deklaruar brejtje ndaj së keqes. Kjo nuk do ta sakrifikonte drejtësinë, por do ta ndihmojë. Pranimi i së vërtetës është thelbësor, për drejtësinë. Kjo nuk nënkupton shlyerjen e krimit, pastrim nga e keqja, apo dikush të fshihet pas padijes, gënjeshtrës, heshtjes apo fshehjes së krimit. E vërteta duhet të dihet sado e hidhur apo e shëmtuar të jetë”, tha Presidenti Thaçi.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha se megjithëse lufta solli mijëra viktima, drejtësia ende nuk është vënë në vend.

“Një është e qartë, përgjegjësit duhet të marrin përgjegjësinë dhe të dalin para gjyqit, derisa shoqëria nuk guxon të mbetet peng i një zhvillimi të tillë”, tha zoti Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se çdo krim dhe vrasje e ndëshkuar, do të shtojë besimin në të ardhmen.

“Duke luftuar të keqen e djeshme, jam i bindur se ne do ta ndërtojmë të mirën e sotme dhe do të sigurojmë të mirë të ardhshme për gjeneratat që vijnë në Kosovë. Po ashtu duke u përballur guximshëm dhe drejtë me të kaluarën tonë e fitojmë besimin dhe shpresën e gjithë qytetarëve tanë për të ndërtuar një të ardhme të sigurt për të gjitha komunitetet tona”, tha kryeministri Mustafa.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delaëie numëroi siç tha parimet që duhet ndjekur për të qenë një komision i besueshëm dhe i suksesshëm.

“E para është paanshmëria, mandati duhet të jetë mjaft i gjerë për të mbuluar krimet dhe abuzimet e kryera nga një gamë e gjerë e akterëve dhe se personeli i komisionit duhet të vijë nga sfonde të ndryshme. E dyta është pavarësia, komisioni duhet të jetë i lirë për të ndjekur mandatin e tij pa detyrim ose mirënjohës për interesat politike. Së treti është transparenca, komisioni duhet t’u takoj qytetarëve të Kosovës dhe duhet të jetë plotësisht i hapur për publikun. Nuk ka vend për sekrete në drejtim të gjetjeve dhe rekomandimeve të Komisionit. Së katërti është angazhimi, çdo kush që vendosë të përfshihet në këtë proces, posaçërisht në dëgjimet publike, duhet të dijë që ekziston rreziku i mundshëm duke pasur parasysh ndarjet mbi historinë e luftës dhe se komisioni qeveritar duhet t'i ofrojë mbrojtje nëse duhet”, tha ambasadori Delaëie.

Përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut thonë ndërkaq se mungesa e vullnetit politik ka penguar vënien e drejtësisë në lidhje me krimet e luftës dhe rrjedhimisht edhe procesin e pajtimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata thonë se numri i të dënuarve për krimet e kryera mbetet i ultë, edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës që shkaktoi mbi 10 mijë të vrarë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG