Lidhje

Kosovë, mbahet dialogu i Procesit të Stabilizim-Asociimit


Kosovë, mbahet dialogu i Procesit të Stabilizim-Asociimit
Kosovë, mbahet dialogu i Procesit të Stabilizim-Asociimit

Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Departamentin për Zgjerim të Komisionit Evropian, Pierre Mirel tha se bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e çështjeve të interesit të përbashkët janë dëshmi e maturisë politike të Kosovës se re. Ai i bëri këto komente gjatë takimit në kuadër të Procesit të Stabilizim Asociimit me institucionet e Kosovës. Zoti Mirel vlerësoi lartë qasjen siç tha ai, konstruktive të Kosovës në bisedimet me Serbinë.

“Ne besojmë fuqishëm se kjo është një mundësi e veçantë për Kosovën që të zgjidhë disa çështje konkrete në interes të qytetarëve të saj dhe njëkohësisht dëshmon pjekurinë e Kosovës se re”, tha zoti Mirel i bindur se bisedimet shumë shpejt do të sjellin marrëveshje konkrete.

Zoti Mirel tha ndërkaq se është shënuar përparim ende i kufizuar në procesin e integrimeve, meqë Qeveria dhe Parlamenti kishin një periudhë të shkurtër kohore për miratimin e ligjeve të nevojshme për zbatimin e reformave të domosdoshme për integrimin e Kosovës.

“Andaj nuk do të ishte kurrfarë befasie nëse do të përmend se do të kemi fare pak përparim për të përfshirë në raportin e ardhshëm të progresit, duke marr parasysh që Qeveria s’ka pasur aq shumë kohë për të punuar në reformat e kërkuara e që i kemi diskutuar më herët”, tha zoti Mirel, sipas të cilit zbatimi i ligjeve mbetet ende sfidë serioze.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se qeveria e tij do të mbetet e përkushtuar në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Ne do të vazhdojmë zbatimin e agjendës evropiane, pa lëvizur asnjë milimetër prapa në reformimin dhe avancimin e shtetit të Kosovës me një qëllim të vetëm, arritjen e standardeve evropiane në të gjitha fushat e qeverisjes dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Që nga takimi i fundit i Procesit të Stabilizim Asociimit për Kosovën e kanë përshkuar zhvillime të ndryshme politike të cilat, përkundër vështirësive për t’i tejkaluar përçojnë një mesazh të fuqishëm të fuqizimit të demokracisë në vendin tonë”, tha Kryeministri Thaçi.

Përfaqësues të Komisionit Evropian thonë se sfidat që e presin Kosovën, kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, ri integrimin e personave të riatdhesuar, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe funksionimin e gjyqësorit. Përparimi në këto fusha është cilësuar si hap i rëndësishëm për përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, meqë ajo ka mbetur vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit perëndimore jashtë këtij procesi.

Dialogu në kuadër të procesit të Stabilizim Asociimit ka filluar të zbatohet në vjeshtën e vitit 2009 si një avancim i Mekanizimit Përcjellës të këtij procesi, duke krijuar kësisoj një kuadër brenda të cilit Komisioni Evropian dhe Kosova diskutojnë çështjet dhe politikat e afrimit me Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG