Lidhje

Kosovë: Përkujtohet përvjetori i bombardimeve


Kosovë: Përkujtohet përvjetori i bombardimeve
Kosovë: Përkujtohet përvjetori i bombardimeve

Dymbëdhjetë vjet më parë NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë. Fushata pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet. Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.

Më 10 qershor, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e tyre të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.

Komandanti i forcave paqeruajtëse në Kosovë Erhard Buhler, ka theksuar sot nëpërmjet një komunikate se mesazhi më i rëndësishëm i kësaj dite është se të gjithë qytetarët e të gjitha etnive dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare duhet të punojnë shumë që ta shtrojnë rrugën drejt një të ardhmeje pozitive, paqësore dhe përparimtare në Evropë. Kjo ditë ka thënë ai, duhet të jetë një ditë e refuzimit të dhunës dhe jo tolerancës.

Shënimi i 24 marsit në Kosovë bëhet sipas përkatësisë etnike. Institucionet e Kosovës 24 marsin e vlerësojnë si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e vendit. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha sot se 24 marsi ishte një ditë historike për Kosovën, kur u pajtuan vlerat demokratike të Kosovës me ato euroatlantike.

“Dymbëdhjetë vite më parë Kosova kalonte në një kohë të gjenocidit të paparë, të përpjekjeve për ekzistencë mund të themi në kuptimin nacional, ndërsa dymbëdhjetë vite më vonë, Kosova si shtet sovran është e gatshme që në mënyrë modeste të jetë pjesë e aleancës veri atlantike në aksione humanitare kudo që ndodhin. Dymbëdhjetë vite më parë, Millosheviqi kishte përkrahjen nga Gadafi kundër aleancës veri atlantike, ndërsa tash Kosova është gati si vend i pavarur të jetë pjesë e aleancës veri atlantike kundër diktatorëve dhe regjimeve të llojit të njëjtë si të Sllobodan Millosheviqit. Por, është një dallim se në Kosovë është zhvilluar luftë për liri”, tha kryeministri Thaçi.

Nëntë vjet më vonë, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila deri tash është njohur nga 75 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian.

Dita e sotme shënohet në një periudhë reagimesh të shumta ndaj një vale arrestimesh të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën akuzat për krime lufte dhe lëshimit të një urdhër arresti nën këto dyshime ndaj deputetit të Parlamentit të Kosovës Fatmir Limaj. Kryeministri Thaçi, shprehu sot bindjen në pafajësinë e ish bashkëluftëtarëve të tij.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar luftë të drejtë e të pastër, ka respektuar konventat ndërkombëtare. Gjenocidin e krimet i ka kryer Serbia në Kosovë. Akuzat ndaj luftëtarëve të UCK-së janë të padrejta edhe akuzat ndaj zotit Haradinaj vitin e kaluar edhe tani në rastin konkret ndaj deputetit Limaj dhe disa bashkëluftëtarëve të tjerë. Çdo deputet edhe deputeti Limaj ka imunitet të plotë, ky është konstatim i yni edhe i EULEX-it dhe duhet të respektohet plotësisht Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

Duke i bërë një vlerësim 24 marsit të vitit 1999 dhe zhvillimeve deri në ditën e sotme, ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell në një shkrim autorial, thekson se si përfundim i ndërhyrjes ndërkombëtare, Kosova u bë një shtet i pavarur i themeluar me zotimin se do të ndërtojë një republikë demokratike e shumetnike. Por, në tekstin e tij ai thekson se është shqetësuese që 12 vjet pasi që NATO-ja ndërhyri në Kosovë dhe tri vjet pas pavarësisë po përvidhet retorika e urrejtjes etnike në diskursin publik. Ai ka shprehur shqetësimin me siç thuhet sulmet e fundit mbi qeverinë që kanë përfshirë kritikat të cilat nënkuptojnë se ajo është e paligjshme sepse gëzon përkrahjen e pakicave në Parlament dhe për shkak se shumica e deputetëve shqiptarë nuk kanë votuar për të.

Kryeministri Thaçi në këtë kuadër tha se Kosova ka institucione të mbështetura në Kushtetutën e saj.

“Zërat e veçuar, mund të them edhe të frustruar që mund të dëgjohen kundër institucioneve shumë etnike në Kosovë janë zëra dhe ide të frikshme që e kthejnë Kosovën prapa për pesëmbëdhjetë vite, janë ide anti civilizuese dhe anti perëndimorë, jashtë vullnetit të popullit të Kosovës dhe vizionit tonë euro atlantik, që nganjëherë mund të them lirisht se këto ide tingëllojnë edhe një frymë racizmi të frustruar, por që janë të dështuar”, tha kryeministri Thaçi.

Vlerësimet për 24 marsin ndërkaq janë krejt ndryshe tek komuniteti serb dhe zyrtarët e Beogradit. Autoritetet serbe, akuzojnë NATO-n se ka ndërhyrë në vitin 1999 për të krijuar, siç thuhet, shtetin e saj në Ballkan. Në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe dita e sotme u shënua me protesta të pjesëtarëve të komunitetit serb të cilët kundërshtojnë çdo përpjekje për integrimin e kësaj pjese të vendit. Ndërsa në Gracanicë, afër Prishtinës u mbajt një liturgji në kujtim të siç thuhet viktimave të bombardimeve. Peshkopi i Kishës Ortodokse serbe,Teodosije, bëri thirrje që serbët të qëndrojnë dhe jetojnë në Kosovë.

“Në këtë vend kanë jetuar baballarët dhe gjyshërit tanë, prandaj këtë hapësirë duhet të mbajmë për vete. Nëse veprojmë kësisoj atëherë do të nderojmë viktimat e luftës së pakuptimtë dhe bombardimeve të pakuptimta”, tha peshkopi Teodosije.

Dymbëdhjetë vjet më vonë rreth 5 mijë trupa të NATO-s kujdesen aktualisht për sigurinë në Kosovë dhe prania e kësaj force pritet të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG