Lidhje

BE-ja synon rifillimin e bisedimeve Kosovë–Serbi


Robert Cooper në bisedimet Kosovë - Serbi
Robert Cooper në bisedimet Kosovë - Serbi

Në bisedimet e deritashme, palët arritën shtatë marrëveshje të ndryshme, por zbatimi i tyre është ende i pjesshëm


Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë – Serbi, Robert Cooper pritet të qëndrojë të mërkurën në Beograd dhe të enjten në Prishtinë në përpjekje për të siguruar rifillimin e bisedimeve.

Të nisura në mars të vitit 2011, ato u ndërprenë në mars të këtij viti, për shkak të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale në Serbi.

Gjatë një viti me radhë, palët arritën shtatë marrëveshje të ndryshme përfshirë atë për lëvizjen e lirë, menaxhimin e përbashkët të kufirit dhe për përfaqësimin rajonal të Kosovës. Kjo e fundit madje i siguroi Serbisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por, zbatimi i marrëveshjeve është ende i pjesshëm dhe Prishtina zyrtare ngulë këmbë që siç thotë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, bisedimet të rifillojnë pas zbatimit të tyre.

Ne do të kërkojmë që të bëhet implementimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani, që do të tregonte një cilësi, një përkushtim por edhe një besim për vazhdimin e dialogut. Natyrisht se implementimi i atyre të arriturave do të tregojë një hapje e mundësive për të vazhduar dialogun. Në këtë drejtim kemi folur me Bashkimin Evropian dhe besoj që jemi në vija të përbashkëta”, tha zëvendëskryeministri Kuçi.

Problemet më të mëdha për zbatimin e marrëveshjeve janë në veriun e banuar me shumicë serbe ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Kosovës. Javën që lamë pas grupe serbësh parakaluan me makina nga Mitrovica deri në vendkalimet kufitare veriore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Prishtinës për të ndaluar përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Përfaqësuesit e serbëve lokal u dorëzuan autoriteteve të KFOR-it dhe të EULEX-it një letër proteste, me të cilën kundërshtojnë siç është thënë, “çdo përpjekje për integrimin me dhunë të serbëve të veriut nga institucionet e Prishtinës”.

Çështja e targave ishte pjesë e marrëveshjes për lëvizje të lirë, e cila qe arritur ne korrik të vitit të kaluar në bisedimet Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ndërmjetësuesit janë vënë sërish në përpjekje për rifillimin e bisedimeve.

Presidenti i ri serb, Tomislav Nikoliç, deklaroi javën e kaluar në Bruksel se Beogradi është i gatshëm të vazhdojë këto bisedime, por hodhi idenë që delegacioni i vendit të tij të drejtohet nga kryeministri i Serbisë.

Bisedimet e filluara në mars të vitit 2011, kishin për qëllim zgjidhjen e çështjeve teknike të interesit të përbashkët dhe shtendosjen e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të kushtëzuara nga kundërshtimi i ashpër i Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG