Lidhje

Nikoliç: Serbët e Kosovës kërcënohen me gjenocid


Tomislav Nikoliç
Tomislav Nikoliç

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, ka deklaruar se serbëve të Kosovës u kërcënohet gjenocidi – Prishtina i hedh poshtë pohimet e tilla


Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, ka deklaruar se sipas tij, serbëve të Kosovës u kërcënohet gjenocidi, pohime që u hodhën poshtë menjëherë nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një intervistë për gazetën britanike “The Guardian”, presidenti serb citohet të ketë thënë se çdo përpjekje e Prishtinës për të shtrirë autoritetin e saj në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, do të çonte në shpërnguljen e serbëve.

Çfarë nëse serbët ikin, Kush do t’i pranojë rezultatet e një gjenocidi të tillë? Ky është një nga definicionet e gjenocidit, kur i dëboni 40 mijë njerëz, pa marrë parasysh a janë gra, burra, civilë apo ushtarë dhe kur e ndryshoni përbërjen etnike të territorit. Ky është gjenocid”, citohet të ketë thënë ai, duke shfaqur dyshimin se “ekziston rreziku që Prishtina të përgatitet që të shkojë aq larg dhe se ajo që e ndalon Prishtinën, është prania e trupave të NATO-s.

Në të njëjtën gazetë, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i ka hedhur poshtë këto deklarata, duke nënvizuar faktin se “dy të tretat e serbëve jetojnë në pjesën jugore të Kosovës dhe janë plotësisht të integruar në vetëqeverisje në nivelin lokal dhe marrin pjesë në të gjitha institucionet në nivelin qendror”.

Presidenti serb nuk e ka përjashtuar as mundësinë e ndarjes në mes të rajoneve të banuara me serbë dhe atyre me shqiptarë në Kosovë, një ide që është hedhur poshtë shumë herë nga Prishtina dhe komuniteti ndërkombëtar.

Presidenti serb, ka paralajmëruar se do të mbajë një qëndrim më të ashpër sesa paraardhësit në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimit Evropian, duke nënvizuar se deri tash, Serbisë i është kërkuar që të bëjë më shumë lëshime në përpjekjet për të zgjidhur konfliktin dhe se tash duhet të kërkohen me shumë kompromise nga Prishtina.

Diplomatët perëndimorë janë vënë në përpjekje për të siguruar vazhdimin e bisedimeve që filluan në mars të vitit të kaluar dhe të cilat çuan në shtatë marrëveshje, përfshirë menaxhimin e përbashkët të kufirit dhe përfaqësimin rajonal të Kosovës.

Prishtina ngulë këmbë që bisedimet të vazhdojnë vetëm pasi të jenë zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri tash.
XS
SM
MD
LG