Lidhje

Kosovë: Mbyllet procesi i privatizimit të PTK


Komiteti qeveritar për privatizimin e Postës dhe telekomit të Kosovës shpalli sot mbylljen e këtij procesi. Vendimi pasoi dështimin e koalicionit qeverisës të sigurojë miratimin në Parlamentin e Kosovës për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të kësaj ndërmarrjeje që është më fitimprurësja në Kosovë.
Përplasjet kanë bërë që të shtyhet për disa herë me radhë nënshkrimi i marrëveshjes me kompaninë fituese "AXOS- capital", nga Gjermania e cila në bashkëpunim me “Najafi Companies”, nga Shtetet e Bashkuara, ishte fituese e tenderit për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje publike në vlerë prej 277 milion eurosh.
Koalicioni qeverisës kishte vlerësuar se dështimi i privatizimit e dëmton gjithë procesin dhe ulë vlerën e kësaj ndërmarrjeje publike, ndërsa opozita kishte hedhur dyshime në ligjshmërinë e tërë procesit.
Procesi i privatizimit të kësaj ndërmarrjeje u rihap në verën e vitit të kaluar pas dështimit të tij në vjeshtën e vitit 2010, me gjithë kundërshtimin e një pjese të forcave politike në opozitë dhe organizatave sindikale që vlerësojnë se privatizimi i kësaj kompanie, do të duhej të ndodhte vetëm me një pajtim në shkallë të gjerë.
XS
SM
MD
LG