Lidhje

Kosovë, rreth një mijë gra raportojnë të kenë qenë viktimë e dhunës


Kosovë, rreth një mijë gra raportojnë të kenë qenë viktimë e dhunës
Kosovë, rreth një mijë gra raportojnë të kenë qenë viktimë e dhunës

Në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, gjysma e rasteve të dhunës që paraqiten në polici kanë të bëjnë me dhunën ndaj gruas. Shefi i misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, Verner Almhofer, në një deklaratë me rastin e 25 nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për çrrënjosjen e Dhunës ndaj Gruas, ka vënë në pah se shifrat zyrtare të policisë tregojnë se të gjitha viktimat e trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë, janë gra. Sipas raporteve të policisë gjatë nëntëmujorit të këtij viti, janë raportuar 620 raste të dhunës në familje, nga të cilat 95 për qind të rasteve janë gra. Rastet e raportuara gjatë një vitit në polici arrijnë një mijë, por sipas Igballe Rogovës nga Rrjeti i grave të Kosovës, kjo nuk paraqet gjendjen reale.

“Por, këto janë numra që i kemi marr nga policia e Kosovës, por paramendoni rastet që nuk raportohen, domethënë unë e di që ka më shumë raste. Por, në Kosovë nuk raportohen të gjitha rastet, janë dy arsyeje , një pavarësia ekonomike dhe e dyta gratë po humbin besimin në institucionet tona se ato mund ta ndihmojnë, prandaj ne kemi dal në rrugë ta fillojmë fushatën dhe ta kujtojmë qeverinë se tani që e kemi ligjin kërkojmë implementimin”, tha ajo.

Një grup i veprimtareve për të drejtat e grave në Kosovë organizuan sot një tubim në qendër të Prishtinës për të tërhequr vëmendjen se nuk mjaftojnë fushatat dhe ligjet, por duhet një angazhim i gjithanshëm për t’i thënë jo dhunës ndaj grave. Zonja Rogova thotë se qytetarët janë faktori thelbësorë në këto përpjekje.

“Sepse qytetarët duhet të raportojnë dhunën, në raste kur viktima nuk mund as me ngrit telefonin kur është në situatë të dhunës duhet komshiu ta ndihmojë. Unë dua të tregoj një rast që ka ndodhur në Gjilan, një nëntë vjeçar Blondi ka qenë vetëm në shtëpi. Blondi është rritur në një familje ku e kanë mësuar prej hapave të parë që dhuna nuk tolerohet dhe duhet dënuar. Blondi ka qenë vetëm në shtëpi kur ka dëgjuar një britmë te komshinjtë e vet dhe ka thirrur policinë. Le të jetë Blondi një shembull për të gjithë qytetarët e Kosovës se siguria fillon në shtëpi”, tha zonja Rogova.

Ajo thotë se dhuna nuk është një çështje e brendshme e familjes dhe raportimi i saj nuk duhet të jetë tabu.

“Çështja e dhunës ndaj grave nuk duhet të jetë private. Duhet të bëjmë publike edhe emrat që ushtrojnë dhunë dhe të dënohet ata njerëz”, tha zonja Rogova.

Përveç shkallës së dhunës, gratë në Kosovë ende përballen me vështirësi në qasje në arsim dhe punësim, e sidomos në mbajtjen e posteve drejtuese. Çështja e dhunës ndaj grave është numëruar si një nga problemet kryesore të fushës së të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë edhe nga organizatat ndërkombëtare. Kosova vlerësohet se ka një kuadër ligjor mjaft të avancuar, por problemet janë të mëdha në zbatimin e këtij kuadri.

XS
SM
MD
LG